Në Ministrinë për FSK u mbajt konferenca ,,FSK dhe Partnerët’’

108


Ministri Demolli: ,,Objektivi  yni është  intensifikimi i bashkëpunimit me partnerët tonë, shtetet mike të Republikës së Kosovës, që po  ofrojnë mbështetjen  e tyre në ngritjen e kapaciteteve tona.

Komandanti, gjeneral Rama: ,,Bashkëpunimi me partnerët i bazuar në standardet e NATO-s,  për ne është i domosdoshëm për ngritjen e FSK-së, arritjen e ndërveprueshmërisë, dhe ruajtjen e sigurisë në Kosove dhe më gjerë.

Në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), u mbajt sot, konferenca e dytë vjetore ,,FSK dhe partnerët’’ nën organizimin e Departamentit për Bashkëpunim dhe Siguri të MFSK-së dhe me pjesëmarrjen e atasheve të Mbrojtjes të akredituar në vendin tonë, e ku ishin të pranishëm edhe ministri i FSK-së, zotëri Haki Demolli, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, zëvendëskomandanti i KFOR-it, gjeneral brigade Christian Riener, gjeneral Steven Altman nga Garda Kombëtare e Ajovës, drejtori i Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës  të NATO-s, gjeneral Dietmar Mosmman si dhe diplomatë dhe përfaqësues institucionalë vendorë dhe ndërkombëtarë.

Në fjalën e hapjes, ministri i FSK-së Haki Demolli tha se Ministria e Forcës së Sigurisë, respektivisht FSK-ja, objektiv primar kanë intensifikimin e bashkëpunimit me partnerët, ku përmes të cilit shtetet mike të Republikës së Kosovës po ofrojnë mbështetje në forma të ndryshme  në ngritjen e kapaciteteve tona.

Gjithashtu, ministri Demolli tha se takimet  e këtilla, si kjo konferencë apo  ushtrimet e përbashkëta siç ishte ushtrimi i djeshëm fushor “Shqiponja V”,  ku pjesëmarrës   të planifikimit dhe realizimit të tij ishin edhe ushtarët dhe oficerët e Ushtrisë Amerikane dhe pjesëtarët e  KFOR-it,  ndërsa shumë ushtarakë të shteteve mike ishin në cilësinë e vëzhguesve, po ndikojnë jo vetëm në rritjen e ndërveprimit ndërmjet nesh, por edhe në rritjen e mundësive për zhvillimin e trajnimeve të  mirëfillta në përputhje me standardet veri-atlantike, e të cilat janë  synim final i FSK-së dhe Republikës së Kosovës në tërësi.

Nga ana e tij,  komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se, FSK-ja që nga themelimi i saj është përkushtuar në ngritjen e kapaciteteve të veta, si në personel ashtu edhe në infrastrukturë, në pajisje dhe në krijimin e kushteve sa më të mira për pjesëtarët tanë.

Moebel THEMA

Më tej, gjeneral Rama, duke i’u drejtuar mysafirëve, tha se: ,,Ju keni një rol kyç në këtë drejtim, sepse gjithçka që kemi bërë deri tani ishte në partneritet me ju dhe bazuar në standardet e NATO-s.’’  Prandaj, tha Komandanti i FSK-së ,,vazhdimi i këtij bashkëpunimi të shkëlqyeshëm është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të FSK-së, si një institucion për të mirën e vendit dhe kontribuuese e sigurisë’’.

Nga një fjalë rasti në konferencë paraqitën edhe zëvendëskomandanti i KFOR-it,  gjeneral brigade Christian Riener,  gjenerali nga Garda Kombëtare e Ajovës, Steven Altman dhe gjeneral Mosmman, drejtor i NLAT-it.

Punimet e konferencës “FSK dhe partnerët” i kryesoi, kolonel Ilir Qeriqi, ndërsa  drejtorët, shefat dhe oficerët e departamenteve të Personalit, Financave, Operacioneve dhe Trajnimeve, Logjistikës, Mjekësisë, Planeve dhe Politikave, Sigurisë dhe Inteligjencës, Qendrës së Trajnimit të Kërkim-Shpëtimit, Komunikimit dhe Sistemeve të Informimit etj., prezantuan objektivat e zhvillimit si dhe paraqiten sfidat dhe nevojat për të ardhmen.

Gjithashtu edhe atashetë e Mbrojtjes të vendeve partnere si ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Shqipëria, Kroacia, Hungaria, Italia, Gjermania, Holanda, Maqedonia dhe Japonia prezantuan kapacitetet dhe ofertat për mbështetje në fushat me interes për FSK-së për periudhën e ardhshme, si dhe diskutuan për aktivitetet në kuadër të planeve të bashkëpunimit dypalësh në të ardhmen.

Qëllimi i konferencës ishte rritja e ndërsjellë e bashkëpunimit dhe ndërveprimit në mes  FSK-së dhe vendeve partnere, e po ashtu edhe Ekipit Këshillues dhe Ndërlidhës të NATOS për MFSK-në dhe FSK-në(NALT) si organizëm mbështetës i FSK-së, e në të njëjtën kohë edhe përfaqësues të institucioneve të tjera të Republikës së Kosovës nga fusha e sigurisë dhe diplomacisë, më qëllim të qasjes gjithëpërfshirëse të institucioneve relevante për sinkronizimin dhe ndërveprimin në mes institucioneve tona në të mirë të zhvillimit të kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Duhet cekur se  në konferencë ishin të pranishëm edhe zëvendësministri i FSK-së, Muhamet Latifi,  gjeneral brigade Zymer Halimi, drejtor i Drejtorisë për Operacione, zëvendëskomandanti i Forcave Tokësore, gjeneral Gëzim Hazrolli, shefi i Departamentit për Operacione dhe Trajnime, gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, drejtori i Inspektoratit, gjeneral brigade Bashkim Jashari, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, gjeneral brigade Enver Cikaqi, shefi i shtabit të Komandës së Forcave Tokësore, kolonel Naim Haziri, këshilltari ushtarak i ministrit, kolonel Fadil Hadergjonaj, atashetë e FSK-së të akredituar në Gjermani, Shqipëri, vendet e Beneluksit dhe Turqi, sikurse janë kolonel Xhavit Sadrijaj, nënkolonel Enver Dugolli, nënkolonel Ahmet Ajeti dhe nënkolonel Bekim Osmani, si dhe përfaqësues nga Policia e Kosovës, përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave të Kosovës, si dhe organizata joqeveritare si Këshilli Euro-Atlantik i Kosovës dhe Asociacioni i Paktit Atlantik të Rinisë së Kosovës.

Comments