Zgjedhjet lokale që janë duke u mbajtur për kryetarë komunash dhe kuvende komunale në të gjitha komunat e Kosovës janë shoqëruar edhe me disa parregullsi në Podujevë.
Organizata joqeveritare “Demokracia fillon këtu” në një raport të publikuar gjatë ditës së sotme thotë se nga vëzhguesit e saj në terren kanë hasur në vonesa nga 10 deri në 30 minuta në disa qendra të votimit, si ajo në Shtedim, Llapashticë e Poshtme, Orllan dhe shkollat “Fan Noli” e “Shaban Shala” në Podujevë. Sipas të njëjtit raport, në një vendvotim ka filluar votimi pa i vendosur shiritat e sigurisë në kutitë e votimit dhe po ashtu fotografim të votës, por që nuk është precizuar se ku, raporton korrespodenti i Grupit Koha.
“Libri orientues i votuesve të Vushtrrisë ka shkuar në Orllan duke mbetur Orllani pa libër orientues për votuesit. Në shkollën ‘Naim Frashëri’ një qytetar nuk është lejuar të votojë me letërnjoftim të UNMIK-ut, ndërsa në Shkollën ‘Kongresi i Manastirit’ nga ora 10:40 deri në ora 10:55 në një vendvotim komisionerët kanë lëshuar vendvotimin përnjëherë dhe s’ka të dhëna se pse!”, thuhet në raport.
Në anën tjetër zyrtari i lartë i Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në Komunën e Podujevës, Islam Demolli, ka thënë se nga informatat që i ka nga menaxherët e qendrave të votimit nuk ka pasur vonesa. Ndërsa, për librin orientues e pranon se është ndërruar me të një komune tjetër dhe se pasi e ka marrë këtë informatë është zëvendësuar me librin adekuat.
“Po është e vërtetë që në shkollën ‘Naim Frashëri’ një qytetar nuk është lejuar të votojë me letërnjoftim të UNMIK-ut. Sigurisht që menaxheri i qendrës së votimit nuk ka qenë i njoftuar se lejohet votimi edhe me letërnjoftim të UNMIK-ut dhe pasi më ka njoftuar ky qytetar, ai është lejuar që të votojë”, ka thënë Demolli. Por, i njëjti e ka mohuar të kenë dalë të gjithë komisionarët nga një vendvotim dhe po ashtu thotë të mos ketë informata se është fotografuar vota diku.
Zyrtari i lartë i KKZ-së në Podujevë thotë se deri në orën 15:00 kanë votuar 32.21 për qind ose 27 mijë e 83 veta në këtë komunë. Në Podujevë janë 80,676 votues, të cilët mund të votojnë në 109 vendvotimet e 43 qendrave sa janë gjithsej në këtë komunë.