


Plani rregullues i lagjes “Mati1” i miratuar në vitin 2011 në Kuvendin Komunal të Prishtinës, është i jashtëligjshëm dhe si i tillë nuk bënë të zbatohet në terren, andaj të gjitha lejet ndërtimore të dhëna në këtë zonë duhet të anulohen. Kështu ka konsideruar MMPH-ja edhe para pak ditëve lidhur me disa ndërtime që kanë nisur rishtazi Por, në atë zonë po ndodhin ende ndërtime të rrokaqiejve me lejen e Komunës së Prishtinës.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti para pakë ditëve ka deklaruar publikisht se nëse Plani i lagjes “Mati 1” është i kundërligjshëm do të marrin masa dhe do t’i anulojnë të gjitha lejet e lëshuara. Prej ditës që kryetari i Prishtinës kishte deklaruar kështu nuk e ka ndërmarrë asnjë hapë, që të paktën të ndërpresë punimet të cilat po ndodhin aktualisht, shkruan lajmi.net.
Komuna e Prishtinës nuk ka dashur të deklarohet nëse do të anulojë lejet e ndërtimit ashtu si kishte premtuar kryetrari Ahmeti në një intervistë për “Jeta në Kosovë”.
Për më keq, përgjatë Rrugës B janë duke u ndërtuar dy objekte shumëbanesore në një brez i cili me Planin aktual në fuqi të miratuar në vitin 2010 parashihte gjelbërim. Lejet janë duke u kundërshtuar fuqishëm nga banorët, ndërsa ato janë lëshuar mbi bazën e një Plani Rregullues të reviduar nga Kuvendi i Prishtinës në vitin 2011 kur Prishtina udhëhiqej nga Isa Mustafa. Plani ishte konsideruar si i kundërligjshëm nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor.
Investitorë i lejeve të kundërshtuara nga banorët është “Partner-Dervisholli Ing”, i cili është pajisur me leje të ndërtimit për dy objekte shumë-banesore me datë 2 shkurt 2017. Njëri objekte afaristë shumëbanesorë është i etazhitetit 3B+P+7, 3B+P+7, 3B+P+8, dhe tjetri objekte shumëbanesorë është i etazhitetit 3B+S+P+8, 3B+S+8, 4B+S+P+8. Për lejen e parë investitori do të paguaj në Komunën e Prishtinës taksën totale në vlerë prej 276 mijë euro, dhe për lejen tjetër shumën prej 356 mijë euro.
Ndonëse, këto dy leje konsiderohen si më të rrezikshme ngase janë lëshuar në brezin e gjelbër. Leje për banesa në Mati 1, me Planin kontestues në këtë vit janë lëshuar edhe për afërsitë të tjerë, si për kompaninë “BTB Holding” SHPK, dhe për kompaninë “Burimi Comerce”.
Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor ka thënë se që nga viti 2013 pas inspektimit të bërë nga MMPH, i ka dhënë urdhër Drejtorisë së Urbanizmit të Prishtinës që vendimi për ndryshim dhe plotësimin e vendimit të planit rregullues urban “ MATI1” i miratuar në Kuvendin Komunal të Prishtinës me datë 20.07.2011 të anulohet pasi është në kundërshtim me ligjin, dhe të gjitha lejet ndërtimore të dhëna të anulohen.
Sipas MMPH asnjëherë nuk është zbatuar ky vendim i ministrisë nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prishtinës, e as tash kur i është dhënë leje ndërtimore kompanive që të ndërtojnë ndërtesa banimi në atë zonë.
MMPH para pakë ditëve ka kërkuar nga banorët e lagjes MATI 1 që t’i drejtohen instancave më të larta për mos ekzekutimin e rekomandimeve të dhëna nga kjo ministri. Ndërkaq, kreu aktual i Prishtinës para pak ditëve kishte deklaruar se nëse lejet konsiderohen të kundërligjshme atëherë ato mund të anulohen.
Kujtojmë që, kyetari i Prishtinës kishte deklaruar në vazhdimësi që ish qeverisja e kaluar dhe Sami Hamiti e kanë degraduar Prishtinën me Plane të kundërligjshme Rregulluese. Ndërkohë, i pari i Prishtinës nuk ka hezituar të dërgojë në Prokurori leje të ndërtimit të lëshuar nga ish pushteti komunal, por Planin Rregullues të kundërligjshëm të “Mati 1”, pos që nuk e ka dërguar në Prokurori, mbi bazën e tij ka lëshuar leje të ndërtimit. Mandej, të gjitha lejet e ndërtimit janë lëshuar mbi bazën e Planeve rregulluese të ish pushtetit, pos Planit për lagjen “Arbëria” i cili është reviduar në vitin 2015.
Më poshtë mund të shihni deklaratën e Ahmetit. /Lajmi.net/