NË SHENJË PËRKUJTIMI TË DHJETËVJETORIT TË RËNIES SË TRIBUNIT ENVER ADEMI NGA SLLATINA

415
fresco


Shkruan : Syrja Etemi

Ishte dora tinëzare ajo që e mori nga kjo botë e që kalli dhembjen dhe indinjatën te të gjithë ata që kanë së paku një gram atdhetarizëm. Një kumt që tronditi zemrat tona, zemrat e sllatinasve, por edhe të mbarë Tetovës bujare e më gjërë. Dhembja për shuarjen e jetës së këtij atdhetari të denjë e të një patrioti të madh, gjithnjë do të mbajë zgjuar ndjenjat dhe ndërgjegjen tonë kombëtare, për t’i reflektuar ato, madje, edhe te brezat e ardhshëm të fisit. U shua krenaria e fshatit, shembëlltyra e dinjitetshme patriotike, simboli i punës së palodhshme për komb dhe ATDHE..
Mburreshim me të, jo vetëm se ishte patriot i madh,por edhe se ishte i çiltër, i respektuar me zemër dhe shpirt të përkushtuar për kultivimin e vlerave të përflakta kombëtare, humane e njerëzore.
Kudo ku ishte ai-në diasporë apo në vendlindje, fjalët e tija të përshkënditura me jone atdhedashurie, te të pranishmit kallnin shkrepëtimat e mllefit dhe urejtjes ndaj padrejtë-sive dhe hileve të pushteteve dhe vazalëve të tyre, e të cilët u bënë vet doras apo atentatorë në shkrirjen fizike të njeriut i cili aq shumë e deshti dhe aq shumë punoi për Shqipërinë etnike. Prenë në besë këtë lis mu në kopshtin e madh të Iliridës. Vranë këtë zog shqiponje, që prore mësynte bardhësitë; me një dëshirë të përndritur që qielli dhe toka arbërore të ishte NJË. E, Dora e zezë (e ndihmuar edhe nga qyqarë bashkëvendas) veniti këtë flamurtar me parime të larta atdhetare e me bagazh aktiviteti dhe veprimtarie vetëmohuese për të ndrequr defektet e historisë hileqare.
Ai me pragmatizmin e tij tipik, fascinoi edhe ata që e deshtën, por edhe ata që s’e deshtën. Ai qe një ndërgjgegje e pastër kombëtare, një shembull në pamje e në veprim, që duhet ndjekur – flamurtar që gjithnjë ecte vertikalisht: i pathyer nga stuhitë e kohës. Ai dinte si ta mbjellë farën e atdhedashurisë, farën e së mirës…kurse neve s’na ngel gjë tjetër, veçse ta kultivojmë me shumë kujdes dhe pa hile bimën që mbolli i pamposhturi, Enver Ademi.
Me humbjen e Tij, Ne të gjithë, ama të gjithë mbetëm më të varfër për një zemërflaktë, për një shembull unikat e të rrallë. Patëm fat që ky vendbanim, e, kjo zonë e pati këtë idealist të përflaktë e udhërrëfyes i pahamendur…
Dashtë Zoti që nga shokët që bashkëpunoi t’ia lë një trashëgimtar të denjë, për të na ngushëlluar dhe për ta plotësuar mungesën e tij!
Lavdi i qoftë!

Comments