Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev sot në Shtip, në shtëpinë përkujtimore “Kiro Gligorov” do të marrë pjesë në debatin publik për draft-amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
Përveç Zaevit, debutues do të jenë edhe ekspertët gjykatësja Margarita Caca Nikollovska dhe profesori universitar Gjorgji Spasov, ndërsa debatin do ta hapë dhe zhvillojë kryetari i Komunës së Shtipit, Bllagoj Boçvarski.
Njëkohësisht në Tetovë, në amfiteatrin “Arben Xhaferi” të Universitetit të Evropës juglindore, zëvendëskryeministrat Radmilla Shekerinska dhe Bujar Osmani do të marrin pjesë në debatin e pestë publik për draft-amendamentet e ndryshimeve të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
Në këtë debat do të diskutojnë edhe profesorët universitar Besa Arifi dhe Blerim Reka, ndërsa diskutimin do ta hap rektori i Universitetit të Evropës Juglindore, Abdulmenaf Bexheti.
Ndryshe, sot është dita e pestë dhe e fundit për diskutimin e ndryshimeve kushtetuese.
Amendamentet që ianë miratuar në Kuvendin e Maqedonisë janë:
Amendamentin XXXII – parasheh që: Në Kushtetutë fjalët “Republika e Maqedonisë” të zëvendësohen me fjalët “Republika e Maqedonisë së Veriut”, kurse fjala “Maqedonia” të zëvendësohet me fjalën “Maqedonia Veriore”, përveç në Nenin 36.
Amendamentin XXXIV – parasheh që: Në preambulën e Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë fjalët “Vendimet e ASNOM-it” të zëvendësohen me fjalët “Shpallja e seancës së parë të ASNOM deri te populli Maqedonas për mbajtjen e seancës së parë të ASNOM”, pas fjalës “viti” shtohen edhe fjalët “dhe Marrëveshja e Kornizë e Ohrit”, kurse fshihen fjalët “vendosën të”.
Amendamentin XXXV – parasheh që: 1. Republika e respekton sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë politika të shteteve fqinje, dhe 2. Me pikën 1 të këtij amendamenti plotësohet Neni 3.
Amendamentin XXXVI – parasheh që: 1. Republika e mbron, garanton dhe kujdeset për trashëgiminë kulturore dhe historike të popullit maqedonas.
2. Republika i mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të saj të cilët jetojnë dhe qëndrojnë në mërgim dhe i avancon lidhjet e tyre me atdheun.
3. Republika kujdeset për pjesëtarët e kombit maqedonas të cilët jetojnë në mërgatë.
4. Republika gjatë kësaj nuk do të përzihet në të drejtat sovrane të shteteve tjera dhe në punët e brendshme të tyre.
5. Me këtë amendament zëvendësohet Neni 49 i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë.
Share