Në Winterthur të Zvicrës akademi në nderim të jetës dhe veprës së Adem Demaçit

490
fresco

Mbrëmë në Restorantin Töss të Winterthurut u mbajt një akademi përkujtimore kushtuar simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçit, organizuar nga ish “Fondi Nderi i Kombit Adem Demaçi”, në të cilën morën pjesë mërgimtarë jo vetëm nga Zvicra por edhe shtetet për rreth, madje edhe nga Danimarka.

Teksti dhe fotot Rexhep Rifati

Në emër të organizatorit të kësaj akademi, moderatori Vaxhid Sejdiu, që në fillim përkujtoi se sa herë që përmendim emrin e Adem Demaçit përkujtojmë veprën e tij, fjalët udhërrëfyese dhe sakrificën në shërbim të lirisë, në shërbim të popullit shqiptar; përkujtojmë të burgosurit politik, veprimtarët dhe luftëtarët e lirisë, të cilët gjatë shekujve kanë vepruar nën hijen e flamurit kombëtar. Sa herë që përmendim emrin e Adem Demaçit, përkujtojmë simbolin e bashkimit, simbolin e lirisë, simbolin e qëndresës, simbolin e vetëflijimit, shkrimtarin e njohur, nderin e Kombit… Prandaj, sot në këtë Akademi me një minutë heshtje të nderojmë simbolin e rezistencës kombëtare Adem Demaçin dhe të gjithë dëshmorët dhe heronjtë e atdheut të cilët vepruan dhe punuan në shërbim të lirisë, Kosovës, Shqipërisë.
Në vazhdim, të akademisë veprimtari Sejdi Gega ish-kryetar i Fondit “Nderi i kombit Adem Demaçi”–paraqiti një referat të shkurtër kushtuar jetës dhe veprës së bacës Adem, ndërsa përshëndetën Ministri këshilltar në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bernë, Mustafë Xhemajli dhe ambasadori i Maqedonisë Halim Hyda.
Kurse në emër të bashkëveprimtarëve të Adem Demaçit kujtime evokoi Riza Demaj – ish i burgosur politik. Ndërsa që akademisë i kishte arrit edhe një letër përshëndetëse nga Familja Demaçi, të cilën e lexon veprimtari Agush Buja
Gjatë akademisë u shfaq edhe intervistë e Adem Demaçit e realizuar nga gazetari dhe veprimtari Ibahim Xhemajli në RTV të Zërit të Kosovës në Danimarkë, si dhe u përshkua me disa pika artistike, qoftë fragmente nga “Gjarpinjtë e gjakut”, Demaçit apo edhe vargje nga krijues arti dhe nderim me flamur nga SHKA “Dardania” e Winterthurit me kostume kombëtare.

Comments