Nën hetim deputeti gjerman, kontrabandoi një emigrant
Prokurorët gjermanë do të hetojnë Diether Dehm, ligjvënësin e partisë së krahut të majtë, Die Linke, pasi kontrabandoi me makinën e tij një emigrant afrikan nga Italia në Gjermani, tha sot një zëdhënës.
Deputeti Dehm konfirmoi dy javë më parë se kishte kaluar një emigrant afrikan nga Italia në Gjermani nëpërmjet Zvicrës dhe tha se ai do ta kryente sërish të njëjtin veprim, në çdo kohë.
Për shkak të imunitetit juridik të Dehmit, si një anëtar i parlamentit, prokurorët mund të fillojnë hetimin e tyre fillestar pasi presidenti i Bundestagut, Norbert Lammert është informuar për procedurat.
Para se prokurorët të aplikojnë për një urdhër kërkimi, ose zyrtarizim të akuzave kundër Dehm, Bundestagu duhet të votojë për heqjen e imunitetit të tij.