Nëna Mihrije Daçaj, djemtë binjakë të së cilës u vranë në Prizren gjatë luftës, ka ngritur padi ndaj kreut të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha.
Padia ka të bëjë me një deklaratë të këtij të fundit gjatë përvjetorit të vdekjes së aktivistit të LVV-së, Astrit Dehari, ku pati thënë: “Rasti i Astrit Deharit është më keq se ajo që kanë vuajtur shqiptarët nën Millosheviqin”, raporton Klankosova.tv.
Titulli i padisë së ngritur në Gjykatën Themelore në Prizren është “Fyerje, ofendim, lëndim shpirtëror”.
Rasti është marrë përsipër nga avokati Gent Gjini, i cili tha se është ngritur padi civile “për fyerje për kryeparlamentarin Dimal Basha ndaj viktimave civile shqiptare në kohë lufte nga regjimi serb i Millosheviqit për ta relativizuar, banalizuar krahasimin e krimeve të luftës me një dukuri që nuk lidhet asgjë me viktimat e luftës civile shqiptare”.
Në padi theksohet se deklarimi i Bashës “pa dyshim ka lënduar dhe prekur vuajtjet shpirtërore të të gjithë atyre familjeve shqiptare që kanë humbur familjarët e tyre në kohë lufte nga regjimi i Millosheviqit, e në veçanti këtu te zonja Mihrije dhe familjes së saj e cila ka humbur dy djemtë e saj binjakë”.
“Është e papranueshme që Kryeparlamentari i Republikës së Kosovës, Dimal Basha, me veprimin që ka bërë të bëjë një krahasim me një banalitet të rëndë dhe ta relativizojë krimin e regjimit serb të Millosheviqit me një krahasim tjetër si rasti i Deharit që fare nuk lidhet me luftën dhe me krimet e luftës apo me vrasjet që janë bërë popullatës civile shqiptare”, thuhet ndër të tjera në padinë.
“Familja kërkon drejtësi nga gjykata dhe ta dënojë gjuhën linçuese të kryeparlamentarit duke penalizuar atë për këto baza: Që ta tërheq fjalën të cilën e ka thënë ‘Rasti i Astrit Deharit është më keq se ajo që kanë vuajtur shqiptarët nën Millosheviqin; Që të kërkojë falje publike në audiencë publike, në televizion shtetëror dhe në televizione private atyre familjeve që kanë humbur anëtarët e tyre nga regjimi serb i Millosheviqit të viktimave civile të pafajshme; Që të kompensojë dëmin moral dhe material për lëndimin e vuajtjeve shpirtërore të atyre familjeve që kanë humbur anëtarët e familjes; dhe, Që të mos përfaqësojë poste publike të përfaqësimit të institucioneve të Republikës së Kosovës si poste më të larta shtetërore – (Kryeparlamentar, ministër, etj)”, thuhet në padinë civile të ngritur ndaj kryeparlamentarit Dimal Basha. /Klankosova.tv

