Nëna e katër dëshmorëve Kiqina: Ndjehem krenare për veprën e djemve

310

Në 20 vjetorin e rënies së dëshmorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Afrim Kiqina, është zbuluar pllaka përkujtimore në fshatin Abri të Drenasit.

Afrimi ishte anëtar i Njësisë Speciale “Tigrat e Zi” të Brigadës 111 “Adem Jashari”, i cili ishte dëshmori i parë i kësaj njësie.

E pranishme ishte edhe nëna Afrimit, Mihrija e cila lirisë së Kosovës ia dha katër djemtë dëshmorë, e cila me emocione të mëdha dhe lot, rrëfeu historinë e djemve të saj.

“Sot po ndihem shumë krenare që kam pas këso djem. Jam nënë e katër dëshmorëve që kanë dhënë jetën për liri të sotit. Kam pas djem të mirë e kanë luftuar që deri nuk di si më. Afrimi ka luftuar këtu e ka dhënë jetën. Bajrami u pushkatu në Dubravë, çfarë vuajtje ka pas në Dubravë, djali më i madh ma ka lënë vajzën u pushkatu në Dubravë. Djem ma të zot nuk di që ka pas”, thotë ajo.

Në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili tha se Afrimi është një nga ushtarët Njësia Speciale 111 dhe një djalë me zemër të madhe.

“Ne me krenari e kujtojmë muajin mars e epopesë së Jasharëve të 98-tës, por edhe muajt e tjerë janë muaj që i kujtojmë rëniet e shokëve dhe bashkëluftëtarëve, muaji shtatori është prej muajve të veçantë në komunën tonë. Prandaj Afrimi është një nga ata ushtarë të pakët që i kishte njësia speciale 111, por me zemër të madhe”, tha ai.

Për veprën e Afrim Kiqinës foli edhe Ferid Berisha, i njohur si Komandant Shkupi.

“Gjaku i tyre ishte sakrifica e tyre përfundimtare në mbrojtje të vendit tonë. Në një ditë si kjo, para 20 vitesh, pikërisht në këtë vend, në kohën kur atdheu kishte nevojë për djemtë dhe bijat e tij, ra dëshmorë për të jetuar në përjetësinë e lirisë së Kosovës Afrim Kiqina”, tha ai.

Deputeti Milaim Zeka ka falënderuar fshatin Abri për strehimin që u ka bërë gjatë luftës luftëtarëve të UÇK-së.

Ai foli para të pranishmëve, dhe falenderoj familjën Kiqina për kontributin e dhënë.

“Faleminderit për dhuratën që na dhatë. Dëshiroj me falënderuar fshatin tim, Abrinë, të gjitha nënat e baballarët, që keni pas kurajo, forcë, që këtu me strehuar të madhen Xhevë Lladrovcin, Fehmi Lladrovcin dhe gjithë djemtë dhe vajzat nga krejt territoret shqiptare. Faleminderit Abri për çdo gjë që ke bë për Kosovën. Faleminderit juve ushtarëve të gjallë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Zeka.

Në ceremoninë e zbulimit të pllakës përkujtimore te dëshmorit Afrim Kiqina, morën pjesë edhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, organizata të dala nga lufta, e bashkëluftëtarë të dëshmorit, raporton KosovaPress

Comments