“Nënë Tereza” regjistrohet në regjistrin qendror, AShAM kundër universiteteve të reja pa konsultim



Vazhdojnë reagimet e studentëve të UEJL-së, të cilët përmes një peticioni elektronik po nënshkruhen kundër idesë së plasuar në disa qarqe për shkrirje të mundshme me Universitetin e ri “Nënë Tereza” dhe për ndarjen e hapësirave në Shkup.
Universiteti i ri në Shkup ka marrë një vërejtje nga Akademia e Shkencave. Nga AShAM kritikojnë MASh-in që nuk konsultohet me ta për hapjen e universiteteve të reja.
“Gjatë çdo projekti, MASh është e obliguar të drejtohet te ne dhe të kërkojë mendim. Çdo iniciativë për themelimin e një institucioni publik të arsimit të lartë duhet të shoqërohet me një projekt ose studim serioz, kuptohet në përbërjen e të cilit do të marrin pjesë edhe njerëzit kompetentë të arsimit dhe shkencës, por ky obligim ligjor nuk zbatohet”,– deklaroi akademiku, Vllado Kambovski.
“Maqedonia është ndër mesin e vendeve me më shumë universitete dhe më shumë studentë të regjistruar, por kjo nuk do të thotë se kemi përmirësim të cilësisë në arsim”,– tha profesori, Ilija Acevski.
Përkundër zërave kundër, Universiteti “Nënë Tereza” edhe zyrtarisht është regjistruar në regjistrin qendror. Vazhdojnë ndërkohë edhe apelet për regjistrimin e studentëve të rinj në këtë universitet.