Nëse Artës i thua Çamëri, greku të mbyll shkollat dhe të hap sherrin

Nga Enkel Demi
Vetëm dy ditë më parë 27.al botoi një shkrim që po çelen shkollat e gjuhës shqipe në Çamëri, më saktë në Artë. Lajmi u prit me një entuziazëm të madh në rrjet dhe është lexuar e vazhdon të lexohet në mënyrë të jashtëzakonshme. Redaksia ju referua një njoftimi që kishte bërë në facebook zonja Anila Velaj Kila. Njoftimi i zonjës u botua në mënyrë integrale. Titulli u vendos nga redaksia dhe ishte: “Hapen klasat e para në gjuhën shqipe në Çamëri”. Në mbrëmje zonja Anila Velaj Kila kontaktoi me kryeredaktoren e 27.aldhe më pas edhe mua. Na njoftonte se po i prishnim punë shkollave shqipe në Artë, sepse ta quash Artën Çamëri ka mërzitur autoritetet e atjeshme. Po kështu, në këtë ankesë na u tha që këta mësues patriotë të gjuhës shqipe rrezikonin edhe më shumë. Kemi bërë shpjegime të hollësishme që ne do ta konsiderojmë gjithmonë Artën Çamëri, sepse edhe sikur të duam nuk e fshijmë dot Despotatin e Artës të Gjin Bue Shpatës apo Koli Idromenon, mësime që u duhen dhënë edhe emigrantëve shqiptarë.
Megjithatë, duke njohur natyrën irracionale dhe padyshim të egër të autoriteteve të vendit fqinj e duke mos patur kurrfarë dëshire që mësuesit tanë patriotë të rrezikonin qoftë dhe një qime floku ndërruam titullin e shkrimit dhe fjalën “Çamëri” e zëvendësuam me fjalën “Artë”. Me mjaft pikëllim e bëmë, por e bëmë.
Të nesërmen, një tjetër zotëri i quajtur Fatos Malaj na akuzon kështu: “Nje titull artikulli per te fituar sa me shume klikime me syrin e nje nacionalisti ku ndikon per keq ne punen me kaq shume sakrifice edhe kohe te mesuesve emigrant ne Greqi, keta gazetar tregojne me shkrimet e tyre se nuk duan qe femijet e emigranteve te mesojne gjuhen e nenes……..”. Nuk i kam bërë asnjë ndryshim këtij komenti, megjithë gjuhën shqipe të shkruar me gabime. Zotëria është aktivist dhe e ka lënduar titulli me fjalën “Çamëri”, e cila të bën nacionalist dhe të jepka klikime. Sërish edhe këtij njeriu i kujtuam që Arta është Çamëri, siç është Rrësheni Mirditë apo Piluri Labëri.
Me thënë të drejtën edhe zotin Malaj e mirëkuptova, sepse është më e lehtë të bësh patriotin në Tiranë, se sa në Greqi, ku represioni është i formave të ndryshme. Por, sot në vend të mirëmëngjesit gjeta në postën private një letër të zonjës Anila Velaj Kila, e cila më uron, sepse kam shitur Çamërinë, madje ka besim që kam patur fitime të mira nga kjo punë. Më tej më thotë që nuk ka nevojë që unë ta bëj heroinë, sepse ka bërë detyrën ndaj atdheut dhe do të mbahet mend nga vogëlushët e saj, kur ata t’u flasin shqip fëmijëve të tyre, ndërsa kujton që bën një punë vullnetare. Pra, unë shes Çamërinë dhe fitoj pare në kurriz të punës vullnetarëve të mësuesëve patriotë.
Më tej zonja më bën me dije: “Mjer ti qe do mbahesh mend per mbylljen e kurseve te gjuhes shqipe ne greqi!Ti je aq gazetar i dobet sa nuk ke asnje informacion per lajmin por shkeput nje njoftim nga fb.Ne Arta ka pasur kurse dhe ne Greqi ka 16 vjet qe jepet mesim shqip ne 18 shkolla.Une nuk do ta le me kaq,te jesh i sigurt!”
Edhe në këtë rast njoftimin e lashë të pacënuar, megjithëse zonja që u mëson gjuhën shqipe fëmijëve të emigrantëve, shkruan një shqipe të çalë. Më pas, ajo më uron që paskam marrë Çamërinë, më fton të çoj atje kamera që të korr suksesin tim, ndërsa i lutet Zotit të më ruajë, sepse nuk di çfarë bëj për një grusht para.
Nga gjithë kjo tollovi kuptova dy gjëra:
E para, nuk paskan qenë klasa, shkolla, por kurse, ashtu si dhe më njoftuan disa miq të tjerë emigrantë, madje më bëjnë me dije që për këto kurse Greqia merr fonde nga Bashkimi Europian.
E dyta, nëse themi Çamëri, kursi mbyllet, nëse nuk e themi hapet, prandaj unë me rregull treshi jam ai që mbylla kurset.
Ndaj i lutem me zemër në dorë zonjës, zotërisë ta çojnë këtë punë deri në fund, si dhe më kanë shkruar e premtuar. Po kështu, uroj që kjo replikë të përkthehet tek autoritetet greke që të dalë në dritë të diellit që shkollat i mbylla unë si një njeri që shes dhe blej Despotatin e Gjin Bue Shpatës dhe këta patriotë t’i lënë të vazhdojnë detyrën e tyre atdhetare, sepse ne që i themi bukës bukë, Çamërisë Çamëri jemi për t’u vënë në turrën e druve.