Nga fabrikë mjekësore në Shkup drejt Serbisë, kontrabandohen 5 tonë marihuanë

103

Prokuroria për Krim të Organizuar në Serbi ka njoftuar se janë privuar nga liria dhe ka ndjekje ligjore ndaj pesë të dyshuarve, tek të cilët u gjetën pesë tonë marihuanë, afër Krushevcit.

Pas marrjes në pyetje të të dyshuarve, të cilët shfrytëzuan të drejtën e tyre ligjore dhe u mbrojtën me heshtje, prokurori publik për krim të organizuar i ka propozuar gjyqtarit të procedurës paraprake të Departamentit Special për Krim të Organizuar në Gjykatën e Lartë në Beograd që të gjithë të dyshuarve t’u caktohet masa e paraburgimit.

Propozimi për caktimin e paraburgimit është bërë duke pasur parasysh sekuestrimin rekord të narkotikëve – marihuanë në sasi prej 5.002.079,18 gramë.

Duke qenë se i dyshuari A.M, i cili konsiderohet organizatori i këtij grupi të organizuar kriminal, ndodhet në arrati, gjyqtarit të procedurës paraprake i është dorëzuar edhe propozim për lëshimin e fletarrestimit, përfshirë edhe fletarrest ndërkombëtar, ndaj këtij të dyshuari.

Ky grup i organizuar kriminal ka vepruar në nivel ndërkombëtar, kështu që nga fillimi i janarit 2026 deri më 29 janar 2026, në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ka siguruar narkotik – marihuanë në sasi prej 5.002.079,18 gramë. Sipas planit të organizatorit, i dyshuari I.D e ka transportuar drogën përtej kufirit deri në depon e familjes Spasojeviq, prej nga i dyshuari U.M e ka marrë atë për shitje të mëtejshme.

Veçanërisht indikative është se i dyshuari I.D është bashkëpronar i një kompanie në Shkup, e cila është e regjistruar për prodhimin dhe përpunimin e kanabisit mjekësor.

Duke pasur parasysh se një pjesë e veprimeve kriminale tregojnë për karakter ndërkombëtar të veprës penale, veçanërisht në lidhje me furnizimin me drogë në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, rrjedha e mëtejshme e hetimeve do të zbardhë të gjitha rrethanat e këtij rasti penal, do të identifikojë të gjithë pjesëmarrësit, si dhe do të përcaktojë origjinën e narkotikëve.

Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiç, pas mbërritjes në vendin e sekuestrimit, theksoi se kjo është sekuestrimi më i madh i drogës në Serbi deri më tani.

Comments