Nga fundi rikonstruksioni i rrugës rajonale Gostivar – Vrapçishtë

Rruga në hyrje – dalje të qytetit të Gostivarit dhe që lidhet me fshatin Debresh do të riasfaltohet tërësisht.
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta i shoqëruar nga drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë”, Gajur Kadriu ndoqën nga afër fillimin e punimeve në këtë aks rrugor.
Bejta njoftoi që paraprakisht kishte realizuar takim me drejtorin z. Gajur Kadriu në kabinetin e tij dhe kishin rënë dakord që krahas riasfaltimit të rrugës, të bëhet edhe vendosja e mbrojtëseve të reja rreth rrugës.
“Me drejtorin biseduam për gjitha problemet që kemi dhe që mund t’i tejkalomë bashkë siç është mirëmbajtja e rrugëve gjatë stinës së Dimrit si dhe rekonstruimin e rrugëve tjera që janë në kompetencë të kësaj ndërmarrje. Komuna e Gostivarit paraprakisht bëri riasfaltimin e rrugëve të bulevardit dhe tash me riasfaltimin e pjesës së ngelur hyrja e qytetit të Gostivarit merr krejtësisht pamje të re. Me drejtorin biseduam që Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë”, të bëjë edhe ndërrimin e mbrojtësve rreth rrugës të cilat me kalimin e kohës ishin dëmtuar. Bëhet fjalë për urën që lidh qytetin e Gostivarit me fshatrat përreth dhe është rrugë mjaft e frekuentuar që e lidh qytetin e Gostivarit me akset rrugore drejt Tetovës dhe Kërçovës në anën tjetër, prandaj duhet të krijojmë siguri në komunikacion”, tha kryetari Nevzat Bejta.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike “Rrugët e Maqedonisë”, Gajur Kadriu potencoi që rruga shumë shpejt do të vihet në përdorim dhe se me këtë pjesë po bëhet përfundimi i projektit gjigant i cili nis nga Reçica e Tetovës dhe përfundon në hyrje të qytetit të Gostivarit.
“Jemi të angazhuar në riasfaltimin e rrugës dhe urës në hyrjen veriore të Gostivarit, dhe ndërkohë vazhdojmë të jemi prezent dhe duke zhvilluar punimet në çdo vendbanim të populluar me shqiptarë. Investimi është diku mbi 3 milion euro përgjatë këtij aksi rrugor që përfundon me fshatin Reçicë. Ky aks rrugor është shumë i rëndësishëm sepse frekuentojnë mbi 100 mijë banorë. Kur flasim për pjesën e Gostivarit, investimi shkon deri 60 milion denarë, flasim për rrugën që lidhet me fshatin Vrapçisht. Por do të kemi edhe investime të tjera si në sinjalizim ashtu edhe në rregullimin e mbrojtësve përreth rrugës”, deklaroi drejtori Kadriu.
Riasfaltimi i rrugës realizohet në suaza të projektit për riasfaltimin e aksit rrugor nga hyrja – dalja e qytetit të Gostivarit drejtë fshatrave të Pollogut, ndërsa paraprakisht u bë riasfaltimi i rrugës nga fshati Debresh drejtë fshatit Vrapçisht.