“Nga lindja deri në pleqëri – mjeku i familjes, njeriu që ju ndjek gjithë jetën”, flet doktor Nexhbedin Sadiki

Në episodin e radhës të podcastit “Shëndeti në rend të parë”, të mbështetur nga United Hospital, specialisti i mjekësisë familjare, Nexhbedin Sadiki, ndau përvojat dhe mendimet e tij rreth rolit të rëndësishëm që luan mjeku i familjes në sistemin shëndetësor dhe në jetën e përditshme të pacientëve.
Sadiki e përshkroi mjekun e familjes si figurë kyçe që qëndron në vijën e parë të kujdesit shëndetësor, duke trajtuar një spektër të gjerë problemesh – që nga sëmundjet akute të përditshme, tek menaxhimi i gjendjeve kronike e komplekse.
Ai theksoi se ndryshe nga specialistët që fokusohen në një fushë të ngushtë, mjeku i familjes ndjek pacientin në të gjitha etapat e jetës së tij dhe e njeh atë në mënyrë gjithëpërfshirëse.
“Njohja afatgjatë me pacientin na ndihmon të marrim vendime më të mira, më të personalizuara. Po ashtu, krijohet një besim që është i pazëvendësueshëm në kujdesin shëndetësor”, tha Sadiki.
Ai ndau një shembull kuptimplotë të përfshirjes së mjekut të familjes në ciklin jetësor të pacientit: “Mjeku familjar ju përcjell para se të vendosni që të lindni. Dy të rinj vijnë për këshilla, bëjnë analizat, kontrollojnë për sëmundje të trashëguara, planifikojnë shtatzëninë në mënyrë të sigurt. Pastaj lind fëmija, dhe pas kontrolleve fillestare në maternitet, ai ndiqet nga mjeku i familjes. Në librezën e fëmijës shënohet emri i mjekut familjar, i cili do ta përcjellë gjatë gjithë rritjes së tij”.
Për të qenë një mjek familjar i mirë, sipas Sadikit, kërkohen tre cilësi bazë: koncentrim, kohë dhe durim.
Ai thekson se vetëm përmes këtyre aftësive mund të ndërtohet një marrëdhënie e qëndrueshme me pacientët dhe të ofrohet kujdes cilësor, i personalizuar dhe afatgjatë.
Për më shumë ndiqni podcastin e plotë “Shëndeti në rend të parë”:

