Artan Grubi, ish zëvendëskryeminstër i parë është i përfshirë në një hetim që lidhet me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion dhe shkelje të procedurave të prokurimit publik, në kuadër të rastit që ka të bëjë me funksionimin dhe kontratat e Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut.
Sipas organeve të ndjekjes, hetimet kanë të bëjnë me vendime dhe kontrata që dyshohet se kanë shkaktuar dëme financiare të konsiderueshme në buxhetin e institucionit, që përllogariten në 500 milionë denarë apo mbi 8 milionë euro. Prokuroria pretendon se përmes procedurave të kontestuara janë favorizuar subjekte të caktuara ekonomike.
Gjykata paraprakisht kishte caktuar masë paraburgimi ndaj Grubit, ndërsa autoritetet e kishin shpallur në kërkim për shkak të mosparaqitjes para organeve të drejtësisë.

