
Ligji për rritjen e pagës minimale nga 10 800 në 12 mijë denarë do të hyjë në fuqi nga 1 tetori. Por, qytetarët shprehen skeptik se ky ligj do të respektohet nga punëdhënësit. Ata druajnë se punëdhënësit e sektorit privat, nuk do i rrisin pagat, edhe nëse ua rrisin, thonë se parat do ua kërkojnë mbrapa.
“Deri tani rrogën e kemi 9 000 denarë edhe pse me ligj është 10 000 denarë, por shpresojmë që në muajin e ardhshëm rroga të bëhet 12 mijë denarë, por prapë se prapë frikohem se shefi do na paguaj 12 mijë denarë, por do të duhet të kthejmë 3 mijë denarë. Nuk pres se do të respektohet ky ligj. Ka pasur raste kur rrogën e ka pasur 10 000 denarë ndërsa është dashur të kthejë mbrapa 3 mijë denarë”, tha një puntor në firm private.
Edhe nga Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut thonë se ligji në fjalë ka hapësira të mjaftueshme për manipulim dhe mospagim të shumës së pagës të definuar me ligj.
“Ende nuk ekzistojnë garanci se të gjithë punëtorë nga të gjithë sektorët në Republikën e Maqedonisë do ta marrin pagën e caktuar me ligj, e cila në këtë moment është 12.000 denarë. E përshëndesim rritjen e pagës minimale, por mënyra se si është caktuar kjo gjë mendoj se në të ardhmen do të jetë pengesë për sa u marrjes së pagës minimale për një pjesë të punëtorëve”, u shpreh Igor Jadrovski, Komiteti i Helsinkit.
Nga ministria për punë dhe politikë sociale njoftojnë se për mosrespektimin e ligjit, për punëdhënësit janë të parapara gjoba adekuate.
“Ligji për pagë minimale parasheh që çdo punëtori të mos i paguhet pagë më e vogël se ajo minimale e cila është e caktuar me ligj. Në qoftë se ndonjë punëtori i paguhet pagë nën nivelin e caktuar me ligj për pagë minimale ligji parasheh gjoba adekuate për punëdhënësit. Me miratimin e këtij ligji mundësohet barazim të pagave të punësuarve në sferat ku punëtorët kanë marrë paga më të ulëta nga paga minimale, ndërsa nga ana tjetër do të mundësohet edhe subvencionim për punëdhënësit me dhënie e ndihmës financiare nga buxheti i RM”, nga Ministria për Punë dhe Politikë Sociale.
Ndryshe ligji për rritjen e pagës minimale ishte njëri nga premtimet kryesore të LSDM-së. Paga minimale deri më tani ka qenë 10 800, ndërsa shumë herë ka pasur raste kur punëtorët janë ankuar se marrin paga edhe prej 4000 denarëve në muaj. Më së shumti shkelje ka pasur në industritë e tekstilit, këpucëtarisë, lëkurës , minierat etj.