Ngjarja në Kuvendin e Kosovës – Sulmi me antitank, “Rugovasit e morën përsipër”, por u përgenjështrua

211

Për policinë kosovare sulmi në Kuvendin e Kosovës është ende pa autorë, ndërkohë që në redaksinë e gazetës “Express” mbërriti një email në të cilin Rugovasit merrnin përsipër sulmin.

Siç thotë “Express”,në email shkruhej: “Ne Banoret e Rugoves kemi dit me derdh gjak kurdoher qe esht lyp me i mbrojt tokat tona”.

Në fakt nuk jepen detaje nëse Rugovasit janë lëvizje, organizatë apo grup.

Por të kontaktuar nga media kosovare, përfaqësuesit e Rugovës kanë mohuar përfshirjen në ngjarjen e rëndë.

Rexhep Kurtbogaj, përfaqësues i Bashkësisë territoriale të shtatë fshatrave përgjatë brezit kufitar me Malin e Zi, ka thënë për “Zërin” se Rugovasit nuk kanë dërguar asnjë email të tillë.

Ai ka mohuar që sulmi të jetë bërë nga ndonjë banor i Rugovës.

Rugovasit sipas tij pavarësisht sa janë të revoltuar, janë duke pritur që me dialog të zgjidhet kjo çështje pa u dëmtuar apo cënuar pronat e rugovasve.

“Distancohemi nga ky email. Nga banorët rugovas nuk është dërguar dhe as që mendoj se është bërë madje ndonjë akt i tillë”, ka thënë ai.

Ndërkohë policia e Kosovës në një deklaratë për mediat tha se ka arritur të gjejë prova në vendin e ngjarjes si  mjete për hedhjen e predhave, shishe benzine dhe një motoçikletë e djegur jo larg nga vendi i ngjarjes.

Zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha, deklaroi se dëshmitë do të çojnë drejt kapjes së autorëve të sulmit, teksa sipas tij motoçikleta mund te jëtë  përdorur për lëvizjen e sulmuesve.

Sulmi nuk shkaktoi të viktima apo të lënduar, por vetëm dëme materiale në ndërtesën e Kuvendit dhe disa automjete të cilat ishin të parkuara aty pranë.

Edhe pse sulmi tronditi Prishtinën, ligjvënësit kosovarë janë mbledhur si normalisht në seancën plenare, duke vijuar me diskutimet e rendit të ditës.

Sulmi u dënua nga President i Republikës Hashim Thaçi, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa dhe të gjitha partitë politike kosovare.

Ndërkohë Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe përfaqësia e Bashkimit Europian dënuan ngjarjen, teksa  krerët e shtetit mbajtën një takim urgjent me Ambasadorët e “Quint”-it me fokus Demarkacionin.

Ngjarja u dënua gjithashtu edhe nga Ministria jonë e Jashtme dhe kryetari i Kuvendit Meta.

Për Ministrin Ditmir Bushati ngjarja është një sulm kundër demokracisë, stabilitetit dhe aspiratave europiane të Kosovës.

Sulmi në Prishtinë ndodhi ditën kur Qeveria miratoi projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe e dërgoi atë për miratim në Parlament.

Ratifikimi i kësaj marrëveshjeje është vënë si kusht për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Comments