Nikollov akuzon AUV-në: Nuk solli akt ligjor për të mbrojtur qytetarët; AUV kundërpërgjigjet: Ligji është i qartë, por nuk respektohet

138
Pas helmimit me pije energjike të tre adoleshentëve, zëvendësministri plotësues i Bujqësisë, Lupço Nikollovski, kërkoi që Agjencia për Ushqim dhe Veterinari seriozisht të kontrollojë pijet e dyshimta që janë në shitje.
Ai akuzoi AUV-në se nuk ka sjellë akt juridik i cili duhet ta rregullojë këtë fushë dhe të sigurojë kornizë juridike për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.
“Ne alarmuam se në Maqedoni shiten pije me përbërje të kafeinës dhe alkoolit që nuk janë definuar në asnjë rregullore, duke prezantuar edhe vlerësimin e ekspertëve të Institutit për Shëndet Publik. Por, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari me shumë lehtësi tha se janë pije joalkoolike dhe ua hodhi fajin personave që e kanë konsumuar pa u zbatuar testim laboratorik i së njëjtës”,- deklaroi zëvendësministri plotësues i Bujqësisë, Lupço Nikollovski.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari.
“AUV ripërsërit me përgjegjësi se pijet janë të sigurta, të kontrolluara në laborator dhe në mënyrë adekuate të shënuara në pajtim me rregullat e Maqedonisë dhe ato europiane”,– u tha nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.
Nga AUV përkujtojnë se ligji ua ndalon tregtarëve t’u shesin pije alkoolike dhe energjike personave nën 18 vjeç, por kjo nuk zbatohet gjithmonë. Inspektorët nga Inspektorati Shtetëror i Tregut kanë kryer kontrolle edhe në Qendrën Tregtare në Radishan, ku të miturit i kanë blerë pijet energjike “Samba”, prej të cilave janë helmuar.
Comments