Një grup i VMRO-së kërkon shtyrjen e Kongresit

124

Kur kanë mbetur edhe dy ditë deri në dorëzimin e kandidaturave për kryetar të VMRO-DPMNE-së, deputetët Ilija Dimovski dhe Antonio Milloshovski bashkë me themeluesit e partisë kërkuan nga Komiteti Ekzekutiv edhe një afat për paraqitjen e kandidatëve dhe shtyrjen e datës së mbajtjes së kongresit.

Kërkesat nga shkresa publike

Të zvogëlohet numri i delegatëve nga 544 në 500
Vendet e delegatëve t’i zënë komitetet lokale të partisë
Kongresi tashmë i caktuar të shtyhet për 24 dhe 25 shkurt
Të krijohen kushte dhe mundësi për transparencë
Kandidatët të mos shfrytëzojnë selinë e partisë
Kandidatët të zgjedhen pa presion dhe kërcënim
Të denoncohen parregullsitë dhe presion ndaj tyre
Këtë iniciativë të dy deputetëve Milloshovski e Dimovski e mbështetën themeluesit e VMRO DPMNE-së, Boris Zmejkovski, Vllado Tërntalovski, Dijana Tërntallovska, Dragi Arsov si dhe deputet nga përbërja aktuale parlamentare e VMRO-së. Lidhur me këto kërkesa, njëri ndër kandidatët më serioz për kryetar të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski tha për Alsat M se nesër do të prononcohet për kandidaturën dhe gjitha kërkesat tjera të bashkëpartiakëve të tij. Përveç Micovskit, mësohet se ish sehfi i diplomacisë Nikolla Poposki ka siguruar firmat e nevojshme për të shpallur kandidaturën për kryetar të partisë. Ambicie për të parin e VMRO-së kanë shprehur edhe Filip Petrovski, dhe deputetët Antonio Milloshovski e Ilija Dimovski. Ditë më parë, kryetari aktual i kësaj partie, Nikolla Gruevski zhvillimet rreth kandidaturave për pasardhësin e tij i quajti si normale. Megjithatë Gruevski i bëri thirrje të gjithë kandidatëve që të mos veprojnë nën ndikimin e emocioneve. Ndërkohë, iniciativa për reforma brenda-partiake në VMRO-DPMNE nuk do të propozojë kandidatin e saj në Kongresin e jashtëzakonshëm të VMRO-së. Sipas tyre, mënyra se si është organizuar kongresi, lë të kuptohet se brenda opozitares nuk do të ndryshojë asgjë. Kongresi i jashtëzakonshëm për emërimin e kryetarit të ri të VMRO-DPMNE-së, pas dorëheqjes së Nikolla Gruevskit është në fundjavën e ardhshme më 22 dhe 23 dhjetor në Vallandovë, ku do të vendosin votat e 544 delegatëve. Afati për dorëzimin e kandidaturave përfundon më 21 nëntor.

Comments