Një muaj paraburgim ndaj shtetasit të Serbisë i dyshuar se përgatitej për të kryer një vrasje

103

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e një muaji paraburgim ndaj të dyshuarit, R.B., shtetas i Serbisë, i cili dyshohet për veprën penale të përgatitjes së vrasjes, duke u prezantuar si person zyrtar.

Këtë për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore, Mirlinda Gashi.

:Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit R.B, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale Përgatitja e veprës penale Vrasje, Prezantimi i rremë si person zyrtar dhe veprën penale Mashtrimi. Gjyqtari i procedurës paraprake ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit R.B, ashtu që të njëjtit i caktohet masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një ) muaji”, ka thënë Gashi.

Ndërsa, në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se arrestimi i të dyshuarit erdhi pas një pune hetimore disamujore.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se pas një pune hetimore disamujore të Prokurorit të Shtetit në bashkëpunim dhe në koordinim me Policinë e Kosovës, më 5 dhjetor 2024 është kryer bastisje dhe është bërë arrestimi i një të dyshuari me inicialet R.B., i cili është shtetas i Republikës së Serbisë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale, si në vijim: “Përgatitja për kryerjen e vrasjes”, nga neni 172 lidhur me nenin 27 të KPRK-së, “Prezantimi i rremë si person zyrtar”, nga neni 409 i KPRK-së dhe “Mashtrimi” nga neni 323 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës përmes raportit 24 orësh ka njoftuar se rasti kishte ndodhur më 3 prill 2024 në Fushë Kosovë.

Comments