Nobelisti Mario Vargas Llosa: Shtypi i verdhë, argëtimi që mund të prodhojë përbindësha

168
fresco

Nobelisti Mario Vargas Llosa: Shtypi i verdhë, argëtimi që mund të prodhojë përbindësha

Nobelisti Mario Vargas Llosa ka shkruar një roman për shtypin e verdhë. Vojerizmi i tij po na e kërcënon kulturën.

Nga Thomas David, “DNZZ am Sonntag”

Zoti Llosa, ngjarja e romanit tuaj zhvillohet në Perunë e viteve të ’90-ta. Mos dëshironi me këtë të na rrëfeni se si po vazhdon sjellja e paskrupullt e regjimit të Fuxhimorit në të gjitha shtresat sociale?

Diktatura krijon në popullatë gjithmonë një atmosferë të frikës. Në Peru atëbotë ekzistonte jo vetëm terrorizmi i «Rrugës së ndritur», një lëvizje guerile tejet e dhunshme, por edhe terrorizmi që vinte nga qeveria e Fuxhimorit. Gjatë shkrimit më ka interesuar posaçërisht, sesi kjo atmosferë psikologjike e kërcënimit permanent ndikon te shtypi. Sesi regjimi i Fuxhimorit shtypin skandaloz e shfrytëzoi si armë për t’i hequr qafe kundërshtarët e tij.

Botuesi i një gazete bulevardeske me urdhër të shërbimit sekret shpik skandale, të cilat e shkatërrojnë jetën e të prekurve.

Zakonisht fjala është për skandale seksuale, sepse këto janë më interesantet për lexuesit. Por nuk duhet harruar që efekti shkatërrimtar i këtij lloj bulevardizimi shkon përtej asgjësimit të individëve dhe mund ta shthurë edhe kulturën.

Vitin e kaluar ishit vetë ju viktimë e shtypit të verdhë, kur lidhja juaj me një ish-modele u përfol në publik. A mos ishte kjo përvojë motivi për shkrimin e «Investigimit»?

E saktë, unë ndërkohë u bëra vetë viktimë e «kulturës së spektaklit», të cilën para disa viteve e mora në thumb në esenë «Gjithçka bulevard». Por nuk ishte kjo arsyeja për ta shkruar romanin. Idenë për këtë libër e kisha prej një kohe të gjatë.

A mund të lexohet «Investigimi» edhe si një aktualitet europian, në të cilin liria e mediave po kërcënohet si në Hungari dhe në Turqi, dhe në vetë Britaninë e Madhe gazetat ditore u shfrytëzuan nga kampet e ithtarëve ose kundërshtarëve të Brexitit?

Rreziku i shfrytëzimit ekziston gjithmonë. Gëzohem që po e përmendni Brexitin, sepse kam jetuar për disa vite në Britaninë e Madhe. Gjithnjë kam pasur bindjen që një kulturë qytetare, si ajo e Anglisë, është imune ndaj demagogjisë dhe këtij lloj nacionalizmi e ksenofobie të trashë.

Mendoni se popullata u mashtrua?

Më duhej të isha dëshmitar si Britania e Madhe po bëhet viktimë e demonëve, si një çfarëdo vend i Botës së Tretë, të cilët mund ta pllakosin një demokraci – me çka unë e nënkuptoj nacionalizmin, racizmin dhe shovinizmin. Në ditët e fundit të fushatës së Brexitit ndodha në Londër dhe debati që bënin ithtarët e Brexitit ma kujtoi propagandën që e njoh nga vendet e Botës së Tretë.

Çfarë dinë në këtë kuptim shoqëritë perëndimore për veten e tyre, të cilat i dedikohen një «bulevardizimi» nga i cili ankohen?

Edhe më tutje ka një kulturë të vërtetë, shkrimtarë dhe artistë seriozë, por është një fenomen i epokës sonë, që është bërë më e vështirë të tërheqësh një vijë ndarjeje ndërmjet asaj që është serioze dhe e njëmendtë dhe asaj që vetëm të argëton. Ndërmjet së vërtetës dhe kalamendjes totale.

Ku qëndron, sipas vlerësimit tuaj, arsyeja për këtë?

Mungon kritika, e cila ndihmon në definimin e kësaj vije ndarëse. Është një trend i kohës sonë për ta shndërruar gjithçka në argëtim. Por argëtimi mund të prodhojë përbindësha. Vojerizmi malin i shtypit të verdhë po vazhdon në rrjetet sociale dhe ky fenomen po kërcënon jo vetëm gazetarinë, por kulturën në përgjithësi. Detyrimi për argëtim është duke i degraduar të gjitha fushat e jetës dhe nuk po e kursen më as politikën.

Fushata amerikane për president duket se po ju jep të drejtë

Për faqe të zezë, ky zhvillim kulturor nuk po nxit reagime. Asnjë rezistencë. Përkundrazi, një pjesë e madhe e opinionit publik këtë e sheh si të mirë dhe të udhës. Madje ka edhe ?lozofë që pretendojnë se për herë të parë në historinë e njerëzimit kemi një kulturë demokratike, sepse ajo arrin te të gjitha shtresat shoqërore.

Comments