“E vërteta është fjalëpakë. Keqdashësit mund ta sulmojnë, injorantët mund ta përqeshin, por në fund aty është”.
Winston Churchill
Shkruan: Xhelal NEZIRI
Gjatë punës time si gazetar kam kritikuar çdo parti apo institucion, kur kam vlerësuar se nuk punon në bazë të normave etike apo ligjore. Shpesh kam drejtuar kritika të ashpra në adresë të BDI-në, PDSH-në, VMRO-DPMNE-në apo ndaj institucioneve që kanë drejtuar këto parti.
Do të vazhdoj të kritikoj edhe në të ardhmen këto parti kurdo që të vërej se bëjnë punë që nuk janë në interes të përgjithshëm. Nuk më bëjnë përshtypje si më shikojnë endacakët nga një parti në tjetrën, pasi e kam të qartë se problemi është te këndvështrimi i tyre – kur dje ishin BDI më akuzonin se jam me PDSH, kurse kur sot janë ASH apo BESA më akuzojnë se jam BDI.
Fundja, është detyrë e gazetarit – të kritikojë devijimet, por edhe ta thotë të vërtetën kur ndonjë projekt realizohet me sukses. Në gazetari nuk ka nihilizëm, nuk ka kritika “vend e pa vend”. Ka vetëm fakte dhe realitet objektiv.
Nejse, t’u kthehemi kritikave ndaj partive, kushtimisht thënë, “të vjetra”. Dua të them diçka hapur – asnjëherë nuk kam pasur sulme e kërcënime për fjalën e thënë publikisht nga asnjëra prej tyre. Asnjëherë nuk kam qenë objekt i një sulmi të organizuar nëpërmjet militantëve që mbajnë nga dhjetëra profile të rrejshme në rrjetet sociale.
Asnjëherë nuk kam marrë sharje vulgare e kërcënime, siç kam marrë këto ditë nga profile të militantëve të BESË-s dhe Aleancës për Shqiptarët. Këto dy parti, që i quajtëm “të reja” duke shpresuar se do të sjellin vlera të reja demokratike, duket se kanë nevojë për dy kurse: i pari që duhet ta ndjekin është BAZAT E DEMOKRACISË, kurse i dyti – LIRIA E SHPREHJES DHE MEDIAVE NË VENDET DEMOKRATIKE. (Ja, u ofrohem t’ua mbajë të dyja kurset gratis atyre që krijojnë politika në koalicionin “Aleanca me Besë”. Pa absorbimin e këtyre vlerave nuk mund të fitoni zgjedhje).
Në fakt, këto parti i lëshuan militantët e tyre të më demonizojnë nëpër rrjetet sociale dhe i aktivizuan portalet pa adresë të shpifin kundër meje për shkak të një deklarate të thënë për portalin Tetova1.com. Aty thashë dhe e argumentova tezën time se koalicioni ASH-BESA është lidhur për të shpëtuar karrierat politike të katër krerëve të këtyre partive, e jo për interesa partiak apo të përgjithshëm.
Argumentet e mia ishin këto:
Të kishte qenë një koalicion në interes të përgjithshëm do të ishte lidhur para zgjedhjeve parlamentare të dhjetorit të 2016-ës. Për një bashkim të këtillë erdhën thirrje jo vetëm nga analistët, por edhe nga Edi Rama, Albin Kurti…Mungesa e këtij koalicioni i mundësoi BDI-së të dalë parti e parë te shqiptarët dhe kështu të jetë faktor kyç në formimin e qeverisë. Për këtë nuk janë fajtorë as analistët, as Rama, as Kurti por as edhe Zaevi.
Të kishte qenë koalicion në interes partiak do të ishte lidhur para raundit të parë të zgjedhjeve lokale, kur edhe votohet për partitë (listat e këshilltarëve). Rezultatet zyrtare të KSHZ-së tregojnë se nga 36 komuna ku kanë garuar partitë shqiptare (pra, në listat për këshilltarë), BDI ka fituar në 25 komuna kundrejt oponetëve të saj shqiptarë – BESA, ASH dhe PDSH, të cilat kanë epërsi në 7 komuna. Ndërkaq, në 4 komuna ka pasur koalicione ndërmjet tyre.
U promovua si koalicion kombëtar shqiptar, por në fakt nuk ka argumente me të cilat ky definim do të ishte mbështetur. Përderisa në të gjitha komunat në balotazh garojnë kandidatët shqiptarë, nuk mund të bëhet një ndarje e tillë. Kandidati i BDI-së është shqiptar njëjtë siç është edhe kandidati i ASH-BESA. Votuesi do të gjykojë cili është më i mirë për të menaxhuar me komunën.
Koalicioni ASH-BESA nuk do të funksionojë pasi është i lidhur me vendim të katër krerëve partiak, pa ndonjë periudhë të normalizimit të marrëdhënieve të tensionuara midis këtyre dy subjekteve. Opinioni nuk u njoftua nëse ky vendim është vënë në votim në kryesitë kryesitë e këtyre partive. Mendimi im, si e drejtë bazike dhe e garantuar me Kushtetutë e konventa ndërkombëtare, ishte se një koalicion i tillë nuk do të mobilizojë të gjithë votuesit e ASH-së të votojnë kandidatët e BESË-s, dhe anasjelltas.
Mbi këto argumente e bazova edhe analizën time në emisionin “360 gradë” në AlsatM. Këto nuk ishin kritika, të kuptohemi, por analiza.
Figurativisht thënë, njëjtë sikur mjeku kur t’i lexon analizat laboratorike të gjakut e të thotë – mbaj dietë dhe bën aktivitete fizike se yndyrat i ke lartë. Kritikë do të ishte nëse mjeku do të drejtohej me fjalët – t’i je i pakujdesshëm edhe kur bëhet fjalë për shëndetin tënd. Ndërsa, ofendim nga mjeku do të ishte nëse të thotë – po hiq pak peshë se je bërë si fuçi.
Pra, u sulmova nga gjithë “ushtria e internetit” që postojnë e bëjnë share përmbajtje ku lavdërohet apo mbrohet BESA dhe ASH, vetëm për një analizë të argumentuar. Sa do të dalë e saktë, do të debatojmë pas 29 tetorit. Një metodë të njëjtë qeveria ruse e përdor që nga viti 2007, për të mbyllur gojën të gjithë atyre që mendojnë ndryshe. (Lexo këtë shembull, të publikuar në BBC: http://www.bbc.com/news/blogs-trending-41499789)
Argumenti i tyre, që mbase ua kanë dhënë shtabet partiake, ishte se “pse nuk komentohet koalicioni BDI-LSDM”. Është kjo një lojë fjalësh që nuk ka të bëjë aspak me të vërtetën, pasi që para zgjedhjeve në disa emisione apo deklarata kam komentuar këtë koalicion. Kam thënë: koalicionet ndëretnike kanë ekzistuar çdoherë, por mirë është që tani më kanë filluar të bëhen publike. Kur jemi te kjo temë, që në vitin 2010 në javoren “Arena”, e më pas në disa analiza në mujoren “Shenja” kam mbajtur qëndrimin se “nëse qeveritë janë të koalicioneve maqedonaso-shqiptare, atëherë le të dalin të kërkojnë vota si koalicione”.
NJË GJË TA KENË TË QARTË – ASKUSH, ASNJËHERË DHE NË ASNJË FORMË NUK DO TË MUND TË MË NDALOJË TË THEM ATË QË MENDOJ.
“Të thuash të vërtetën është revolucion”, ka thënë Antonio Gramshi, një politikan italian që denoncoi mafian dhe ishte cak i sulmeve mediale nga gazetarë dhe media të lidhura me struktura kriminele.
“Sinqeriteti është kapitulli i parë i librit të mençurisë”, thotë ish-presidenti Thomas Jefferson, gjë që duhet ë jetë udhërrëfyes për të gjithë ata që kërkojnë besimin e votuesit.
“E vërteta më e madhe është ndershmëria, gënjeshtra më e madhe është pandershmëria”, thotë Ebu Bekri, prijës mysliman.
“E vërteta është fjalëpakë. Keqdashësit mund ta sulmojnë, injorantët mund ta përqeshin, por në fund aty është”, thotë ish-kryeministri britanik Winston Churchill.
E populli jonë thotë: NUK MBULOHET DIELLI ME SHOSHË.