
Berat Gjimshiti ka përfunduar me sukses një sezon ëndrrash me Atalantën. Vendi i 3-të në Serie A dhe mbërritja deri në çerekfinalet e Champions League janë një arritje e jashtëzakonshme për mbrojtësin shqiptar. Madje është i pari lojtar i Kombëtares kuqezi që prekte një çerekfinale të Championsit. Megjithatë ai eliminim i befasishëm me 2 gola në minutat e fundit ka lënë një zgjënjim te skuadra nga Bergamo, të cilën pak çaste e ndanin nga gjysmëfinalja.
Berat Gjimshiti ka rrëfyer gjithë Atalantën në një intervistë të gjatë për “Telegrafi”, ku tregon emocionet e mëdha të kompeticionit më prestigjoz për klube dhe arsyen e zëvendësimit nga ana e Gasperinit kundër PSG-së. Më tej ka kujtuar edhe momentin kur nga klubi i lajmëruan largimin pas huazimit nga Benevento, megjithëse një javë më pas kishte një prapakthehu nga Atalanta.
“Janë emocione të mëdha kur e sheh që përballë ke emra të mëdhenj, por janë një tregues se edhe ti ke ardhur në atë pozitë përderisa luan ndaj tyre. Kemi bërë ndeshje shumë të mirë, por mëkat që humbën. U ndjeva shumë keq me eliminim pasi edhe nuk isha në fushë dhe nuk kisha se si t’i ndihmoja shokët e skuadrës. Më mirë të kishim humbur tre apo katër zero nga fillimi i ndeshjes se sa të humbasim ashtu në fund duke pësuar dy gola. Ka qenë një eliminim i dhimbshëm. Ne kemi luajtur pa frikë ndaj të gjithë kundërshtarëve. Sikur ta kalonim PSG-në nuk do të kishim frikë sikur të përballeshim edhe me Bayernin apo cilëndo tjetër skuadër”.
“Zëvendësimi erdhi shkaku i kartonit të verdh që e kisha nga pjesa e parë. Trajneri më tha të kem kujdes pasi u ndëshkova pasi kishim të bënim me lojtarë shumë të shpejtë. Në momentin e inkuadrimit të Mbappes në lojë, atëherë trajneri më zëvendësoi pasi më tha se nuk donte të më humbiste për në gjysmëfinale në rast se kalonim tutje”.
“Nuk kemi menduar shumë për titullin, por nëse do ta fitonim atë ndeshje me Juventusin (2-2) në Torino atëherë kemi pasur gjasa, por Ronaldo na hoqi fitoren nga dora me një penallti të shënuar në minutën e 90-të. Nëse do ta fitonim atë takim do të kishim mundur të bëjmë befasinë dhe ta arrijmë titullin, por ajo ka shkuar tani dhe mendojmë për sezonin e ri”.