Nuk po punohet për zbardhjen e fatit të të pagjeturve

214

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë çështja e më shumë se 1.600 personave të pagjetur ende nuk është zgjidhur. Sfida më e madhe për institucionet dhe shoqërinë e Kosovës edhe 19 vite pas luftës, mbetet zbardhja e fatit të personave të pagjetur dhe format e deritanishme të trajtimit të këtij problemi.

Kështu u tha në tryezën e diskutimit “Si duhet të zgjidhet çështja e personave të pagjetur në Kosovë”, organizuar sot nga Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Komisionin parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

Deputetja Saranda Bogujevci është shprehur e pakënaqur me punën për të pagjeturit, derisa kërkoi që kompetencat duhet t’iu barten institucioneve vendore për zgjidhjen e këtij problemi shumë të ndjeshëm për shoqërinë tonë.

“Problemi që unë e kam pa, është që nuk ekziston një bashkëpunim më i përafërt edhe me institucionet e vendit, por edhe me institucionet ndërkombëtare. Tjetër, është që një pjesë e punës është bërë nga EULEX-i, ndërsa një pjesë tjetër është bërë nga Komisioni, por edhe nga institucionet tjera brenda qeverisë. Këtë e parë si problem për shkak që mendoj se kompetencat duhet t’i barten institucioneve vendore dhe pjesa e institucioneve ndërkombëtare është me rëndësi që të jetë aty për përkrahje dhe për ndihmës në këtë drejtim. Është përgjegjësi e jona si shtet që ta zgjedhim çështjen e personave të pagjetur”, ka theksuar ajo.

Ndërsa, Jahja Lluka këshilltar i kryeministrit, ka mohuar të gjeturat e shoqërisë civile se nuk është punuar për zgjidhjen e fatit të të pagjeturve.

Ai tha se prioritet i Qeverisë Haradinaj është zbardhja e fatit të të gjithë të zhdukurve pa marrë parasysh përkatësisë së tyre nacionale apo fetare.

Lluka shtoi se si qeveri në asnjë moment nuk do të ndalen në përkrahjen e familjarëve derisa të zbardhet fati i presonit të fundit të pagjetur.

Sipas tij, rezultatet nuk tregojnë se në këtë drejtim nuk është bërë asgjë, pasi mbi 70 për qind e të zhdukurve janë gjetur, edhe pse sipas tij, 1648 njerëz konsiderohen ende të pagjetur, ky numër për të është i madh.

“Ka në Morgun e Prishtinës, mbetje mortore të cilët nuk kanë të bëjnë aspak me të zhdukurit dhe me luftën e fundit. Në bashkëpunim me komunën kemi caktuar lokacionin në varrezat e Prishtinës dhe të gjithë ato mbetje mortore të cilët nuk kanë të bëjnë me luftën, nuk kanë të bëjnë me të zhdukurit. Në një proces eventual do të largohen nga murgu dhe do të kalojnë në një pjesë të varrezave në Dragodan, për arsye se disa familjar nuk dëshirojnë me i marr mbetjet e tyre mortore, meqenëse një pjesë e tyre kanë qenë bashkëpunëtor të okupatorit. Një pjesë tjetër ka, po ju jap një shembull, ku janë tri femra nga Moldavia. Ka njerëz që kanë sjellë nga spitalet e ndryshme të Kosovës gjatë luftës dhe nuk kanë të bëjnë me të zhdukurit”, tha Lluka.

Kritika për krerët e institucioneve të Kosovës pati edhe përfaqësuesi i familjarëve të të pagjeturve, Bajram Qerkini, i cili tha se nuk është bërë sa duhet në këtë drejtim.

“Dëshiroj t’ju kuptoj të gjithëve në veçanti këshilltarin, i cili thotë, mos kritikoni pa vend. Unë s’kam asgjë kundër askujt, por jam kundër punës e cila nuk po bëhet, kushto që të jetë, Jahja Lluka, Ramush Haradinaj, presidenti dhe krye parlamentari. Për punë e cila nuk po bëhet, unë jam ai duhet t’ju them që të kryhet kjo punë. Hulumtimi i të pagjeturve në Qendrën Burimore, të pagjetur të anëtarësuar deri tash janë 640”, ka thënë Qerkini.

Hulumtuesja Teuta Hoxha-Jahaj ka paraqiti në këtë takim mosfunksionimin e institucioneve në zgjidhjen e temës së personave të pagjetur. Ajo kërkoi më tepër presion ndaj krerëve institucionalë, por edhe ndaj Serbisë, që të bëhet më shumë për gjetjen e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Comments