Nuk u ftua nga Ancelotti, reagon Neymari

201

Nuk do të ketë rikthim të Neymarit në kombëtaren e Brazilit të paktën për momentin.

Ylli i Santos FC, pavarësisht zërave në Brazil për një ftesë të mundshme, nuk është pjesë e listës për ndeshjet miqësore kundër Francës dhe Kroacisë, të fundit para grumbullimit përfundimtar për Botërorin.

Një lajm që e ka zhgënjyer ish-lojtarin e Barcelonës, i cili në një event sportiv në Brazil pranoi: “Jam padyshim i zhgënjyer dhe i trishtuar që nuk jam ftuar nga Brazili”.

Megjithatë, në moshën 34-vjeçare ai ende ëndërron të marrë pjesë në turne me Seleçaon: “Do të vazhdoj të punoj në maksimum, ditë pas dite, stërvitje pas stërvitjeje, ndeshje pas ndeshjeje. Ka ende një thirrje të fundit për Botërorin, ëndrra ime vazhdon. Do t’ia dalim”.

Neymar nuk e ka veshur fanellën e Brazilit që nga 18 tetori 2023, edhe për shkak të problemeve të shumta fizike gjatë dy viteve të fundit, i fundit një lodhje muskulore disa ditë më parë.

Pas rikthimit në formë dhe rolit vendimtar te Santos sezonin e kaluar, Neymar e ka nisur mirë vitin 2026 me 2 gola dhe 2 asistime në 4 ndeshje.

Megjithatë, trajneri Carlo Ancelotti ka bërë zgjedhje të tjera, duke shpjeguar se ka nevojë për të në formën e tij më të mirë: “Neymar mund të shkojë në Botëror nëse është 100% në formë. Nuk e kam thirrur sepse aktualisht nuk është në 100%. Kemi nevojë për lojtarë në maksimumin e tyre. Duhet të vazhdojë të punojë, të luajë dhe të tregojë cilësitë e tij dhe një gjendje të mirë fizike”.

Comments