Obama në Greqi takohet me Pavlopulos, ky i fundit akuzon Maqedoninë për irredentizëm

Barack Obama mbërriti në Athinë, në ndalesën e parë të një turneu shtatëditor, i fundit si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në Athinën e blinduar, nën masa të rrepta sigurie, presidenti siguroi autoritetet greke dhe europiane se linja strategjike amerikane në politikën e jashtme nuk ndryshon me ardhjen e Trumpit në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti grek ka shfrytëzuar takimin me Obamën për të akuzuar Maqedoninë se po ndryshon historinë, madje edhe se tenton ndryshimin e kufijve. Sipas presidentit grek, veprimet e tilla të Shkupit cenojnë edhe integrimet euroatlantike të vendit.
“Është fakt se një shtet fqinj jo vetëm që kërkon emër, gjë që përbën falsifikim të historisë, përhap irredentizëm dhe drejtpërdrejtë nënkupton ndryshim të kufijve. Kjo është në kundërshtim me të drejtën evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe cenon perspektivën evropiane të këtij shteti”,- deklaroi presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos.
Por, Obama është treguar i rezervuar sa i përket çështjes së emrit, por edhe marrëdhëniet greko-turke dhe çështjen e Qipros. Obama u ndal vetëm te kriza e refugjatëve si dhe sfidat e sigurisë.
Ai gjithashtu nënvizoi se zbatimi i suksesshëm i reformave në fushën e ekonomisë do ta rimëkëmb ekonominë e shtetit dhe do ta bëjë atë më konkurrent në një afat më të gjatë.
Obama të enjten do të qëndrojë në Gjermani dhe pastaj do të shkojë në Peru.