OBSH: Kriza shëndetësore në Gaza është e thellë dhe do të ndikojë për breza me rradhë
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Ghebreyesus, ka paralajmëruar se kriza shëndetësore në Gaza është një “katastrofë brezash”.
Ai gjithashtu vuri në dukje se armëpushimi që hyri në fuqi më 10 tetor ka lejuar një fluks më të madh të pajisjeve dhe ndihmës mjekësore, por se niveli është nën atë që nevojitet për të rindërtuar sistemin e shkatërruar shëndetësor.
Ai tha se njerëzit në Gaza po përballen me uri, lëndime të përhapura, epidemi dhe një kolaps të infrastrukturës së ujit dhe kanalizimeve, ndërsa qasja në ndihmë mbetet e kufizuar. Ai theksoi se pasojat shëndetësore, duke përfshirë problemet e përhapura të shëndetit mendor, mund të ndikojnë në brezat e ardhshëm.
Ghebreyesus i bëri thirrje Izraelit të lejojë rrjedhën e papenguar të ndihmës humanitare dhe të heqë kushtet që po ngadalësojnë shpërndarjen e saj, përfshirë mosmarrëveshjen mbi kthimin e trupave të pengjeve të vdekur.
Në të njëjtën kohë, shefi humanitar i OKB-së, Tom Fletcher, tha se ishte bërë përparim në parandalimin e urisë, por se niveli i ndihmës duhej të rritej ndjeshëm.
Drejtori i OBSH-së theksoi nevojën për të hapur të gjitha kalimet nën kontrollin izraelit për të lejuar një përgjigje të plotë humanitare. Ai theksoi se “paqja është ilaçi më i mirë” dhe paralajmëroi se armëpushimi aktual ishte “i brishtë”, duke u bërë thirrje të gjitha palëve ta respektojnë atë dhe të lejojnë që ndihma të vazhdojë.