OH HILAL ndau ndihmë finansiare për banorët e Hasanbegut dhe rrethinës (FOTO)

110

Moebel THEMA

2

Sot Organizata Humanitare “HILAL” që funksionon në kuadër të BFI-së, shpërndau ndihmë finansiare për rreth 140 familje nga Hasanbegu dhe rrethina, të cilët dy muaj më parë u goditën nga një katastrofë natyrore. Me këtë rast, në një farë mënyre u rrumbullaksua tërë ai aktivitet i paraparë i kësaj Organizate lidhur me bamirësinë permanente që u duhej banorëve të kësaj lagje për t’u rikthyer në normalitet.

Të gjithë familjet, u tubuan në lokalet e Medresesë së ISA BEUT, ku u pritën, veç të tjerash edhe nga Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi. Fillimisht para hasanbegasëve foli Kryetari i unionit të imamëve shqiptarë nga Zvicra, Nehat ef. Ismaili. Me këtë rast efendi Nehati vuri theks të veçantë në gatishmërinë e patundur të vëllezërve myslimanë në diasporë për të ofruar ndihma për vëllezërit e goditur nga vërshima katastrofale. Pastaj të pranishmëve iu drejtua imami i Hasanbegut, Fejsal ef. Kadriu, i cili në ermër të të gjithëve shprehu falënderime të përzermërta për Reisul Ulemanë si dhe për kryetarin e Hilal-it, Mustafa Dautin, të cilët, për asnjë çast nuk kanë pushuar së angazhuari në sigurimin e donacioneve dhe të ndihmave të ndryshme për banorët e kësaj lagje dhe rrethinës të cilët pësuan rënd nga vërshima e para dy muajve.

Më pas, u bë edhe shpërndarja e ndihmës finansiare nga ana e Kryetarit të BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepit, i cili, duke rikujtuar tërë atë aktivitet të suksesshëm humanitar që e kreu BFI përmes Organizatës së vet Humanitare “Hilal” si dhe përmes të gjitha organeve dhe institucioneve të saj, theksoi se ky Institucion bamirësinë e ka themel po aq sa edhe besimin në Një Zot. “Jam, shumë i lumtur për ndjenjën e bamirësisë që e ka të kultivuar populli ynë brez pas brezi. Të gjitha aksioneve tona të ndërmarra për zbutjen e problemeve sociale në rajonin e Hasanbegut pas vërshimës, popullata jonë i është përgjigjur pa kurrfarë hezitimi. Ndjej obligim vëllazëror e fetar që t’i falënderoj edhe vëllezërit tanë në Shqipëri, në Kosovë, në Bosnjë-Hercegovinë si dhe në diasporë, me theks të veçantë vëllezërit tanë në Zvicër, për ndihmën finansiare që e kanë ofruar, që na e kanë besuar ne dhe që sot ne, po e shpërndajmë në mënyrë shumë transparente. Fundja, po e kryejmë një obligim fetar dhe kombëtar ndaj bashkëkombasëve dhe bashkëfetarëve tanë për ç’gjë na urdhërojnë edhe porositë e shenjta islame”, ka thënë para të pranishmëve Reisul Ulema i BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepi.

Ndërkaq për planin aksional të më tejmë foli edhe kryetari i OH HILAL, i cili, pasi bëri një kronologji të aktiviteteve bamirësie të ndërmarra në Hasanbeg dhe rrethinë, nënvizoi se përmes kësaj Organizatë është bërë shpërndarja e mbi 180 ton të ndihmave humanitare, kryesisht me artikuj ushqimor, higjienik dhe veshëmbathje. Falënderim të veçantë ai shprehu për Reisul Ulemanë, falë autoritetit dhe personalitetit të të cilit është siguruar tërë kjo ndihmë humanitare e finansiare. Falënderoi edhe organet e BFI-së si dhe diasporën që ka shprehur solidaritet me të prekurit nga vërshimat katastrofale.

Të pranishmit e patën të vështirë që t’i fshehin emocionet e tyre, duke u ndarë të kënaqur e të përlotur nga gëzimi që arritën sado pak të sigurojnë mjete në prag të sezonit dimror që po na afrohet. Të gjithë shprehën falënderime e lutje për t’i bekuar Zoti të gjithë ata që kontribuan për këtë ndjenjë kënaqësie pas një periudhe dymujore përplot dhembje e mynxyra.

ndihma-ne-medrese3ndihma-ne-medrese2ndihma-ne-medrese1ndihma-medrese5

Comments