

Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, i ka bërë thirrje Bosnjës dhe Hercegovinës që të njohin shtetin e Kosovës.
Në një interviste dhënë portalit serb të lajmeve N1, Hoxhaj ka thënë se marrëdhëniet me Sarajevën zyrtare janë të mira, ndërsa thotë se me homologun e tij boshnjak është mik i mirë.
“Mendoj se çështja se pse Bosnja nuk e ka njohur Kosovën ka pak lidhje me Sarajevën, ndërsa më shumë me Beogradin. Do të doja të shihja një politikë të jashtme të pavarur në Bosnje. Dhe mënyra se si e trajton Kosovën është parametër i mirë për të parë se sa të pavarur e ka Bosnja politikën e jashtme”, ka thënë Hoxhaj.
Veç marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, Hoxhaj ka thënë se dëshiron që të ketë edhe shkëmbime tregtare mes dy vendeve, të organizohet ndonjë forum ekonomik në Prishtinë me biznesmenë nga Bosnja, Sarajeva a Banja Lluka.
Hoxhaj ka thënë se nuk mund të kuptoj vendimin e Sarajevës për vendosjen e regjimit të vizave për kosovarët dhe se kjo është një gjë e gabuar.
“Por, një gjë që kurrë s’kam arritur ta kuptoj është vendimi i marrë nga Sarajeva për vendosjen e vizave për kosovarët, ndërsa mua, para disa vitesh, kam qenë i detyruar të ndërmarr masa reciproke. Do të doja t’i bëja apel miqve në Sarajevë e t’u thosha se kjo është një gjë e gabuar që të imponojë regjim të vizave për qytetarët tanë në shekullin e 21-të”, është shprehur Hoxhaj.
Ministri ka folur edhe për çështjen e asociacionit ku ka thënë se duhet ndihmuar çdo serbi që janë pjesë e Kosovës.
“Asociacioni nuk do të ketë kurrfarë fuqie ekzekutive, do të duhej formuar në kuadër të sistemit të brendshëm ligjor të Kosovës dhe do të duhej t’i ndihmojë serbët që të jenë pjesë e Kosovës dhe përmes tij të promovohet multi-etniciteti i shtetit dhe shoqërisë sonë”, ka theksuar Hoxhaj.