Orce pretendon: Do ta shembë “Ali Tobacco” në Bit Pazar?!
Kryetari i qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, deklaroi se do të ndërmerren masa konkrete për vendosjen e rendit në ndërtesat e objektet dhe strukturat e ngritura në mënyrë të paligjshme në të gjithë qytetin.
Ai theksoi se qytetarët kanë kërkuar rregull dhe disiplinë për më shumë se 30 vjet, duke shtuar se koha për veprim ka ardhur.
“E di që disa nuk do ta presin pozitivisht këtë proces, sepse po u prishet rehatia që për tri dekada u është lejuar ta shijojnë në kurriz të qytetarëve dhe të qytetit. Por duhet të ketë rend,” u shpreh Gjorgjievski.
Sipas tij, bëhet fjalë për struktura të vendosura pa asnjë dokumentacion, të cilat shpesh uzurpojnë shtigjet për biçikleta, zonat për këmbësorë dhe madje edhe hapësira të gjelbra urbane.
Ai përmendi si shembull; ne komunen nga vij edhe unë, një strukturë e përkohshme eshte vendosur në mes të një klinike, si dhe një kioskë në zonën e Bit Pazarit, e cila, sipas tij, pengon qarkullimin normal të biçiklistëve dhe këmbësorëve dhe do të hiqet.
“Kudo ku ka uzurpim të hapësirës publike dhe qytetarët nuk mund të funksionojnë lirshëm, ne do të ndërmarrim veprime. Duhet të ndërtojmë një sistem ku të ketë rend dhe dinjitet,” theksoi ai.
Gjorgjievski shtroi edhe një pyetje retorike për gazetarët: “A kanë lejuar prindërit tuaj që dikush të vendosë një objekt në mes të një parku qyteti? Jo. Por për 30 vjet, dikujt tjetër i është lejuar. Tani është koha për rregull.”

