Osmani: Më 19 tetor vendosim për të ardhmen e Çairit

50
fresco

“Këto zgjedhje janë historike për Çairin, ky është një referendum për të ardhmen e Çairit, por edhe një referendum për dinjitetin e qytetarëve”. Kështu theksoi kandidati për kryetar të Komunës së Çairit, Bujar Osmani, në konferencën e sotme për media, e fundit përpara përfundimit të fushatës. Ai tha se zgjedhjet të dielën, më 19 tetor, janë një moment historik për komunën dhe për dinjitetin e qytetarëve.

“Në këto zgjedhje ka vetëm dy anë. Nga njëra anë janë qytetarët e Çairit, populli që punon me ndershmëri, jeton me modesti dhe e don komunën e vet. Të gjithë ju që doni rend, respekt dhe kujdes për komunën që e meritoni. Nga ana tjetër janë ata që e grabitën komunën për vete. Këta që për 20 vjet e përdorën për pasuri personale, që për 20 vjet ofrojnë premtime boshe para zgjedhjeve, e pastaj vazhdojnë me të njëjtën këngë: korrupsion, kaos dhe punë vetëm për veten”. Sipas Osmanit, pikërisht për këtë, pas 19 tetorit në Çair do të ndodhë një tërmet i ndryshimeve që qytetarët çdo ditë i kërkojnë. “Këto nuk janë premtime larg”, theksoi ai, “por detyra konkrete që do t’i realizoj menjëherë pasi të marr detyrën, nëse më besoni”.

“Kjo nuk është vetëm betejë për një komunë më të mirë, është betejë për dinjitetin e qytetarëve”, nënvizoi Osmani. Në fjalimin e tij, ai paralajmëroi me forcë për proceset politike dhe shoqërore që, siç tha, rrezikojnë kursin evropian të shtetit. “Sot shohim se ‘bota serbe’ po përpiqet të depërtojë në vendin tonë; po shohim se komuniteti ynë po shtyhet në margjina; se ëndrra evropiane po largohet. Çairi nuk duhet të bëhet simbol i humbjes. Çairi duhet të jetë bastion i dinjitetit”. Ai theksoi se votimi të dielën, më 19 tetor, ka një rëndësi që shkon përtej zgjedhjeve lokale. “Zëri juaj është më shumë se një zgjedhje lokale. Zëri juaj është mesazh që qytetarët qëndrojnë me kokë lart, që nuk ka tërheqje mbrapa; që Çairi është zemra e forcës sonë. Çairi është krenaria jonë dhe qytetarët nuk do të lejojnë askënd të kërcënojë krenarinë e tyre”.

Në përmbyllje, ai iu drejtua kundërshtarit të tij, duke theksuar se qytetarët kanë një zgjedhje të qartë mes të kaluarës dhe të ardhmes. “Kundërshtari im pati 20 vjet. 20 vjet, dhe çfarë kemi fituar? Kaos urban, ndërtime pa leje, stagnim. Nëse në 20 vjet nuk solli rend, nuk do të sjellë as për 4 vjet. Çairi ka zgjedhje: ose të mbetet i robëruar në të kaluarën, ose të hapë derë për të ardhmen”. Ai e përfundoi mesazhin me ftesë për qytetarët që të mos qëndrojnë indiferentë ndaj zgjedhjeve të 19 tetorit. “E di që shumë prej jush jeni zhgënjyer dhe thoni ‘të gjithë janë njësoj’. Por kjo nuk është e vërtetë. Dallimi është nëse qëndroni në shtëpi dhe lejoni të tjerët të vendosin për ju, ose dilni dhe merrni të ardhmen e Çairit në duart tuaja”.

Comments