Osmani: Përfaqësuesit e Listës serbe të largohen menjëherë nga Qeveria
Shteti dhe institucionet e Kosovës, po sfidohen vazhdimisht, nisur kryesisht edhe nga veprime krye në vete të cilat vijnë nga komunat serbe (veriu), e po ashtu nga deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës, të cilët vazhdojnë t’i bllokojnë ligjet e rëndësishme.
E, institucionet e Kosovës, vazhdojnë të mos kenë forcën për të treguar ‘muskujt’ ligjorë, për të cilët folën shumë herë gjatë këtij viti.
Glauk Konjufca, deputet nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje, thotë se shteti i Kosovës fillimisht sfidohet nga ajo që është problemi kryesor, të cilin e zbaton Serbia në Kosovë, e që është mos njohja e shtetësisë së Kosovës.
Pastaj në përputhje me këtë qëndrim i cili derivon dhe nga kushtetuta e tyre, Konjufca thotë se vijnë dhe një mori veprimesh të nivelit shtetëror, duke filluar prej ndarjes së veçantë buxhetore, që është për Kosovën, pagesa e mijëra personave brenda Kosovës, që punojnë në sektorin publik, e që janë në kuadër të institucioneve të Serbisë, të cilat veprojnë në Kosovë e të cilat janë ilegale.
“Serbia p.sh. i ka strukturat e saj të cilat i ndalojnë në veri të Kosovës, figurat tona politike. P.sh. ministri Hoti u ndalua atje prej struktur ave të Serbisë. Kryeministri Mustafa nuk guxoi që të shkoj nëpër rrugë, të cilat janë zyrtare dhe të cilat janë rrugë rajonale të Kosovës. Por u detyrua që të shkojë rrugëve alternative në veri. Këto krejt tregojnë se atje nuk ekziston shteti i Kosovës dhe atje situatën e mban në kontroll, një mori institucionesh të Serbisë, të cilat ajo i financon e i kontrollon, e që kanë si qëllim me mbajt situatën të konservuar, e ku nuk lejohet zbatimi i ligjit, zbatimi i kushtetutës së republikës së Kosovës dhe i autoritetit të institucioneve të shtetit tonë”, thotëKonjufca.
E sa i përket përfshirjes së deputeteve në Kuvendin e Kosovës nga Lista serbe, Konjufca pohon se ata janë në koordinim të plotë me Vuçiçin dhe se kjo listë është krijuar me qëllim që të krijohet një formacion politik i cili zhduk të gjitha alternativat tjera të serbeve dhe mbanë vetëm një reprezentim politik, e që është në funksionon të direktivave të Beogradit.
Edhe Shpejtim Bulliqi, deputet nga LDK, thotë se Kosova vazhdon të ketë sfida serioze në funksionimin e shtetit ligjor.
Nga ana tjetër, deputetja Vjosa Osmani thotë se është momenti i fundit që qeveria e Kosovës t’i largojë nga institucionet përfaqësuesit e Listës serbe.
“Është momenti i fundit që Qeveria e Kosovës, të largojë nga qeveria përfaqësuesit e Listës serbe dhe të përfshijë në qeveri SLS në partinë e z. Petroviq, deputet e së cilës vazhdimisht kanë punuar në përputhje me kushtetutën e vendit dhe kanë dhënë kontributin e tyre në përfaqësimin e qytetarëve të Kosovës… Natyrisht që veriu që nga pas lufta, sidomos pa pavarësisht në vitit e 2008, vazhdimisht ka qenë çështja më sfiduese në aspektin e integritetit territorial dhe sovranitetit të vendit. Mirëpo, politika jonë nuk duhet të jetë vetëm reaktive, të presin se çfarë politike të re, çfarë provokimi të ri po bën Beogradi dhe në bazë të saj të determinohet dhe agjenda e bisedimeve me Serbinë. Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë më aktive me ide me propozime të qarta lidhur me integrimin e veriut të vendit, me shtrirjen e sovranitetit në atë pjesë, por mbi të gjitha me projekte të qarta ekonomike të cilat i bëjnë bashkë qytetarët në veri dhe qytetarët në jug dhe integrojnë të gjitha komunitetet”, thotë Osmani.
Imer Mushkolaj, analist politik, lidhur me këtë temë thotë se Kosova jo vetëm që po sfidohet, por po i cenohet integriteti dhe sovraniteti i saj territorial.
Edhe kryeministrin Isa Mustafa, si sfidë të këtij viti të ri ka përmendur veriun e vendit. Mirëpo ai thotë se problemet atje do të zgjidhen përmes ligjit dhe jo në forma tjera.
“Nëse vajtoj për diçka s’vajtoj për Serbinë dhe veriun. Kemi mjaftë çështje tjera për të cilat mund të ndiejmë hidhërim të brendshëm. Kështu që ne në asnjë rast nuk do ta vajtojmë atë. Por duhet ta pranojmë një fakt, që ne akoma kemi probleme me veriun e vendit dhe atë fakt s’mund ta fshehim. Ka probleme, problemet janë reale. Unë s’mund të them që gjendja në veri të vendit, është sikurse gjendja në pjesën tjetër të Kosovës… Ne mund të krekosemi me lloj- lloj kërcënimi dhe lloj-lloj qëndrimi. Po unë se kam as natyrën e tillë që ta bëj. Ligjin e kemi përpara. Do të bëjmë përpjekje që ligji të funksionojë dhe çdo gjë që zgjidh në këtë vend dhe në veri dhe jug ta zgjidhim përmes ligjit”, tha ai.

