Osmani: Sjellja e disa individëve në VLEN po kalon çdo kufi

77
fresco

Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, ka reaguar sërish në rrjetin social Facebook, në lidhje me rezultatin e zgjedhjeve të 19 tetorit, shkruan Alsat.
Osmani, tha se Çairi ishte një mësim, dhe çdo mësim sipas tij, pranohet me dinjitet.

“E mora përgjegjësinë time dhe e përgëzova fituesin , sepse edhe në këto rrethana dua të lë pas vetes një trashëgimi të kulturës politike, ashtu siç veprova gjatë gjithë fushatës. Por arroganca e disave në Vlen po bëhet e gërditshme. Nuk e pranoj që për këtë arsye të nëpërkëmbet rezultati i BDI-së dhe koalicionit. Me 114 mijë vota, AKI mbetet forca më e madhe dhe përfaqësuesi legjitim i shqiptarëve”, shkruan Osmani.

Tutje, ai thotë se Ahmeti është dhe mbetet ideologu dhe udhëheqësi i pakontestueshëm i shqiptarëve.

“Fyerjet ndaj tij nuk janë shenjë force politike, por shenjë dobësie morale. Këto sulme të ulëta kanë një qëllim , të sjellin demoralizim para raundit të dytë, por do të ndodhë e kundërta: BASHKIM dhe VENDOSMËRI. Shqiptarët dhanë mbështetje masive në raundin e parë, dhe në raundin e dytë duhet ta konfirmojmë kush e mban realisht vullnetin e tyre politik. AKI mbetet zëri i shqiptarëve, ndërsa Ali Ahmeti , shtylla e tyre morale dhe ideore. I ftoj të gjithë shqiptarët në raundin e dytë ta konfirmojmë këtë me dinjitet dhe masivitet”, ka shkruar Osmani./ Alsat.mk

Comments