Pas vendimit të kreut të shtetit se do t’i japë mandatin atij i cili do të dëshmojë se ka siguruar 61 firma nga deputetët e mandatuar në kuvend, nga LSDM nuk japin shumë detaje lidhur me angazhimin e tyre për mbledhjen e nënshkrimeve. Nga kjo parti thonë se janë duke punuar në këtë drejtim, por pa precizuar afate kohore.
“LSDM po punon për një zgjidhje të shpejtë dhe efikase për të siguruar formimin e qeverisë. Qytetarët të mos shqetësohen. Ndryshimet për të cilat votuan më 11 dhjetor shpejt do të pasojnë”, deklaroi Petre Shilegov nga LSDM.
Në BDI thonë se kjo nuk është thjesht çështje nënshkrimesh, por çështje e nënshkrimit të një kontrate politike.
“Ne nuk mund ta zbresim procesin në nivel të mbledhjes së firmave, por në nivel të marrëveshjes politike që mund të arrihet ndërmjet partive politike që kanë fituar në zgjedhje. Tani procesi i konsultimeve në BDI vazhdon, nuk janë shterur për pesë opsionet e mundshme të cilat i kemi shtruar për debat, ashtu që në momentin kur ne do të sjellim ndonjë vendim, ajo nuk do të jetë çështje nënshkrimesh, por do të jetë çështje e marrëveshjes politike për cilëndo nga pesë opsionet e mundshme”, theksoi Bujar Osmani nga BDI, njofton TVM2