Padronët e Luftës në Siri dhe Irak

471

Historitë tragjike të dy qyteteve të Lindjes së Mesme – Alepos në Siri dhe Mosulit në Irak – tregojnë mungesën themelore të mirëkuptimit në rajon dhe më gjerë mes bashkësisë ndërkombëtare. Mungesa e rendit në rendin ndërkombëtar është duke komplikuar shumë detyrën për t’i dhënë fund këtyre konflikteve.

Nga Christopher R. Hill

Historitë tragjike të dy qyteteve të Lindjes së Mesme – Alepos në Siri dhe Mosulit në Irak – tregojnë mungesën themelore të mirëkuptimitnë rajon dhe më gjerë mes bashkësisë ndërkombëtare. Mungesa e rendit në rendin ndërkombëtar është duke komplikuar shumë detyrën për t’i dhënë fund këtyre konflikteve.

Kur konflikti i përgjakshëm të përfundojë një ditë në Siri, nuk do të ketë parada fitoreje, as një moment katharsisi kombëtar. Ka më shumë gjasa që, ajo që do të ndodhë do të jetë një rregullim politik që e lë Sirinë brenda kufijve të saj aktualë por me autonomi vendore që reflekton larmishmërinë dhe – së paku për ca kohë – mosbesimin e ndërsjelltë mes grupeve të ndryshme etnike dhe fetare të këtij vendi. Askush nuk do të jetë i lumtur.

Pajimet e nevojshme për një shtet civil nuk ekzistojnë dhe nuk ka institucione të afta për të ndërtuar një konsensus shoqëror ose sundim të ligjit.

Deri sa këto parime të përgjithshme të mund të artikulohen, lufta nuk do të marrë fund kurrë me të vërtetë. Armëpushimet funksionojnë më mirë – dhe më gjatë – kur palët ndërluftuese në fund kuptojnë se një set parimesh mbi të cilat është rënë dakord nga bashkësia e gjerë ndërkombëtare do të jenë baza që do t’i japë formë të ardhmes së vendit të tyre.

Lufta e Sirisë nuk është e paprecedent në këtë rajon. Lufta Civile e Libanit qe edhe më e gjatë: nga viti 1975 deri më 1990 dhe ajo luftë prodhoi numra të ngjashme të të vdekurve dhe të të shpërngulurve dhe ndoshta ka pasur një numër të ngjashëm armëpushimesh të pasuksesshme. Lufta Civile e Sirisë nuk ka mbërritur ende as te gjysma e gjatësisë së asaj lufte të tmerrshme; nuk ka ende as shenja se palët ndërluftuese janë lodhur prej saj.

Bashkësia ndërkombëtare ka gjasa do të preket nga lufta civile e Sirisë më shumë nga sa u prek nga ajo e Libanit, për shkak të ndikimit më të madh botëror të kësaj lufte. Dallga e refugjatëve fillimisht u përmbajt brenda zonave fqinje, veçanërisht në Jordani, Liban, Turqi e madje edhe Irak. Por shpejt refugjatët filluan të mbërrijnë në Europë e në vende të tjera, duke shkaktuar tensione politike në vende shumë të largëta me zonën e konfliktit. Masat e stërmëdha të refugjatëve që kaluan nga një kufi Europian në një tjetër shpejt u bënë metaforë për atë që zemëron shumë Europianë në këtë epokë të globalizuar.

Mungesa e konsensusit ndërkombëtar mbi Sirinë, reflektuar në dështimin e Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara ku anëtarët e përhershëm nuk bien dakord për mënyrën që duhet vepruar, ka bërë që situata në terren të përkeqësohet. Ushqyer nga mbështetja e vazhdueshme për forcat luftuese nga shtetet e Lindjes së Mesme (të cilat duket se nuk kanë besim te sistemi ndërkombëtar) dhe me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Rusisë në luftime, kriza është thelluar.

Ndërhyrja e Rusisë për llogari të presidentit të Sirisë Bashar al-Assad ka shkaktuar përkeqësim të mëtejshëm në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Rusisë, e cila mund të ushqejë rrezik në pjesë të tjera të botës. Sekretari i Shtetit i SHBA-së John Kerry dhe homologu i tij rus Sergey Lavrov deri tani kanë dështuar të gjejnë një mënyrë funksionale për t’i dhënë fund luftimeve.

Ndokush mund të ëndërrojë për një ditë kur Kerry e Lavrov të dalin nga një dhomë bisedimesh për të njoftuar për botën se ata kanë rënë dakord mbi një set parimesh që do të udhëheqin të ardhmen e Sirisë dhe do të punojnë për të arritur konsensus mes anëtarëve të tjerë të bashkësisë ndërkombëtare si dhe mes vetë palëve ndërluftuese. Vetëm pasi luftëtarët të mund të imagjinojnë një të ardhme pas luftës mundet që një armëpushim të funksionojë. Askush nuk dëshiron të jetë njeriu i fundit që vdes duke luftuar ndërkohë që e ardhmja është e ditur për të gjithë.

Në Mosul, lufta nuk është civile. Ndryshe nga Siria, ku duhet të ketë një kompromis mes luftëtarëve, beteja për Mosulin është kundër të ashtuquajturit Shtet Islamik (ISIS) një luftë shfarosjeje. Dhe, në kontrast nga ofensiva ruso-siriane kundër Alepos, arabët e kurdët e Irakut si dhe këshilltarët e tyre amerikanë ka gjasa që kanë punuar prej shumë muajsh për t’i paraprirë dhe për t’u siguruar për suksesin para se të fillojnë luftimet.

Por është sakaq e qartë se beteja është shumë më e rëndësishme në fushatën e Mosulit se sa thjeshtë elimimimi i ISIS. Në varësi të mënyrës se si ajo betejë do të përfundojë, ne do të dimë nëse Iraku do të shfaqet në një shtet multi-sektar apo një set enklavash sektare dhe etnike. Sunitë duhet se nuk duan që në ktë luftë të ketë rol qeveria me shumicë Shia e Bagdatit, edhe pse ushtria e Irakut (krahas kurdëve) po luan pjesën më të madhe të rolit në luftën kundër ISIS.

Dhe sikur ndasia Suni-Shia brenda Irakut të mos qe mjaftueshëm e vështirë, një ndasi më e thellë dhe më problematike është shfaqur tashmë – lufta brenda vetë Turqisë me identitetin e vet dhe me kufijtë që i janë imponuar nga jashtë. Deklarata  jashtëzakonisht e dëmshme nga presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan se vendi i tij nuk është pajtuar kurrë me kufirin 100 vjeçar të vendosur me provincën Nineva të Irakut ka komplikuar shumë aftësinë e Turqisë për të luajtur një rol në procesin e shërimit të Irakut. Arabët kanë ushqyer prej kohësh dyshimet se turqit duan më shumë se sa thjeshtë të mbrojnë minorancën turke dhe arabët suni në këtë konflikt. Tashmë, Erdoğan ka konfirmuar këto dyshime, dhe duke vepruar në këtë mënyrë ka krijuar kushtet për më shumë dhunë në Irak.

Mënyra se si do të përfundojnë luftimet në Alepo dhe Mosul do të ndihmojë për të qartësuar detyrat që na dalin përpara. Por për sa kohë Rusia, SHBA, Turqia, Arabia Saudite dhe të tjerët (Europë, a ka njeri në shtëpi?) arrijnë të bashkohen përreth një serie parimesh që duhet ta drejtojnë rajonin në rrugën e paqes, masakra do të vijojë.

Comments