Pamje/ Armët që u konfiskuan sot në veri

84

Policia e Kosovës ka arrestuar tetë të dyshuar dhe ka konfiskuar armatim, përfshirë eksploziv, pas një operacioni të gjerë të bastisjeve një ditë pas shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit në veri të Kosovës.Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe komandanti i Përgjithshëm i PK-së, Gazmend Hoxha, kanë dhënë detaje rreth operacioneve në një konferencë për mediet, të mbajtur në kampin e njësive speciale “Enver Zyberi” në jug të Mitrovicës, ku dhe janë ekspozuar armatimet.

Sveçla tha se shpërthimi ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, i cili furnizon disa pjesë të vendit me ujë, ishte më i rëndi ndaj infrastrukturës kritike të vendit që pas luftës në Kosovë më 1998-1999.“Ky sulm terrorist nuk është sulm i rëndomtë, por i bashkërenduar nga organizatat terroriste… synimi ka qenë që dëmi të jetë maksimal ndaj shtetit të Kosovës dhe qytetarët të tij”, tha ai.Autoritetet e sigurisë së Kosovës, përfshirë Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), kanë kryer një operacion të gjerë të shtunën në 10 lokacione, tha Sveçla.“Kontrolli ka rezultuar me konfiskimin e një arsenali armesh dhe municioni, eksplozivit, pajisjeje të ndryshme, përfshirë emblema e qindra uniforma e pajisje ushtarake. Këto do të shërbejnë si dëshmi për këto akte kriminale”, tha Sveçla.

Drejtori i Policisë së Kosovës, Hoxha, duke folur në konferencën e përbashkët me ministrin e Sveçla, tha se është përdorur eksploziv deri në 20 kilogramë në sulmin ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.“Në bazë të hetimeve në vendin e ngjarjes, për ta kryer këtë sulm terrorist dyshohet se janë përdorur një sasi e madhe e eksplozivit prej 15 deri në 20 kilogramë. Eksplozivi ishte vendosur në një çantë të zezë dhe është aktivizuar me detonator mekanik, përmes fitilit ndezës me djegie të ngadalshme”, tha Hoxha.Hoxha tha se shpërthimi shkaktoi dëme të mëdha, duke bërë që furnizimi me ujë të pijshëm të ndërpritet në shumë zona dhe lokalitete.

Comments