Panairi “Shqipëria punon tokë”/ Rama: Buxheti më i madh për bujqësinë, do të fokusohemi te të gjitha investimet në bujqësi

276
fresco

Panairi “Shqipëria punon tokë”/ Rama: Buxheti më i madh për bujqësinë, do të fokusohemi te të gjitha investimet në bujqësi
Kryeministri i vendit, Edi Rama teksa ka qenë i pranishëm në çeljen e panairit “Shqipëria punon tokë”, panair i mbajtur në kuadër të përvjetorit të Çlirimit të Shqipërisë, ka falenderuar të gjithë fermerët e rinj si edhe i ka siguruar ata që ndodhen në duar të sigurta.

Gjithashtu kreu i qeverisë, theksoi se do punohet fort që të mbushen boshlleqet në këtë sektor si edhe se do shtohen fondet për të rinjtë që do të kenë ide të reja për projekte të reja.

Rama theksoi se buxheti më i madh është vënë në dispozicion të bujqësisë, si edhe u shpreh se “Do të ndahemi përfundimisht nga epoka e lëmoshave, që thërrmojnë dhe nuk sjellin asnjë vlerë të shtuar”.

Fjala e Ramës:

“Mirënjohje për fermerët e rinj, jeni në duar më të sigurta dhe nuk do të ketë më asnjë boshllëk. Po investoni idetë dhe ëndrrat tuaja në bujqësi dhe blegtori. Këto shembuj do t’i shtojmë në vijim, nuk ka asgjë që do ta ndalojë një ëndërr që njeriu e sheh me sy hapur, nëse ka vullnet dhe dëshirë për t’i shkuar asaj nga pas. Nga fillimi i 2018 fondi i mbështetjes, i cili kalon nëpërmjet agjencisë së zhvillimit bujqësor dhe rural, të ketë një zë të veçantë për të rinjtë, që kanë një ide, një projekt dhe që kanë vendosmërinë për të investuar, duke e nxjerrë fitimin nga toka. Një pjesë e veçantë e këtij fondi do t’i dedikohet inovacionit. Duam t’i japim nxitje të mëtejshme bujqësisë dhe për këtë kemi vënë buxhetin më të madh, por do të fokusohemi te të gjitha investimet në bujqësi, që krijojnë vlerë të shtuar, te sipërmarrjet që rrisin eksportet, tek iniciativat që rrisin cilësinë e prodhimit vendas. Do të ndahemi përfundimisht nga epoka e lëmoshave, që thërrmojnë dhe nuk sjellin asnjë vlerë të shtuar. Ejani në panair dhe shikoni një Shqipëri që nuk shihet në ekran, por që krijon vlerë të shtuar dhe sukses me punën”, tha Rama./ Pamfleti.com

Comments