“Paqja fillon me buzëqeshje”

505
fresco

Sefer Tahiri

midle

Viti 2001. Ajo ditë ishte shumë e gjatë, nuk mbaj mend të më jetë dukur ndonjë ditë aq e gjatë në media. Pasi kishin përfunduar kronikat e ditës, gazetarët ishin larguar nga redaksia. Në deskun e madh të televizionit shtetëror- RTVM, në katin e shtatë kisha mbetur i vetëm meqë isha redaktor i lajmeve. Konflikti si me pahir në këtë pozitë më kishte gjetur në moshën 24 vjeçare !
Ishte ditë e rëndë, raportohej për ashpërsimin e konfliktit ! Meqë kisha përmbyllur edicionin, lodhja më kishte ulur në vendin tim të punës dhe sikur nuk kisha forcë më për tu çuar ! Në punë isha nga mëngjesi i hershëm.
Kur fillova punën në radion Evropa e Lirë, kryeredaktori im, një gazetar me shumë përvojë dhe dije, Melazim Koci që ditën e parë më mësoi një rregull të artë “Në raportim nuk duhet të ketë emocione”, ajo që në teori njihet si distancë emocionale. Por, atë ditë nuk kisha pak emocione. Mendoja se çfarë do të bëhet me vendin. Kishte kohë pa u dëgjuar me familjen time, e cila ishte larguar nga Radusha në Kosovë, meqë vendbanimi ku jetoja ishte bërë zone lufte. Me nënën time dëgjohesha shumë rrallë dhe shumë shkurt vetëm sa për të më dëgjuar se jam mirë. Ishte mërzitur shumë kur më kishte ndjekur duke moderuar debatin politik, i veshur me xhinse, pasi kostumet e punës më kishin ngelur në shtëpi. Kohë lufte më !
Me Arta Tahirin punonim bashkë dhe ajo ishte kurajo e madhe për mua. Babai i Artës, i ndjeri arsimtar Nexhat Latifi pa e ditur unë, i ishte lajmëruar Artës dhe i kishte thënë “Është dhëndri im, derën e ka të hapur tek shtëpia ime”. Falënderues për gjithë jetën. Sot ishim në vendlindjen e tij në shenjë përkujtimi.
Ora kalonte ! Kishte edhe pesë minuta deri në orën 18. Cingërroi telefoni i bardhë fiks dhe dëgjova zërin e një politikani. Më tha “Kam një lajm të mirë. U arrit Marrëveshja e Prizrenit mes liderit të atëhershëm të ish UÇK-së, Ali Ahmeti, liderit të PDSH-së, Arbër Xhaferi dhe atij të PPD-së, Imer Imeri”. Një marrëveshje e cila do të përshpejtojë arritjen e paqes. E falenderova burimin për këtë informacion. Nga energjitë shtesë që një gazetar gjithmonë duhet t’i ketë, u ula dhe bëra lajmin e parë për edicionin e orës 18.30 !
Paqja dukej në horizont ! Lodhja kishte ikur, një energji e re më kishte ardhur dhe një gëzim që megjithatë konflikti nuk do të përshkallëzohet apo siç shkruanim atëherë “spiralja e konfliktit nuk do të zgjerohet”.
Tanimë kisha emocione pozitive. Sepse “Paqja fillon me buzëqeshje” ka thënë Nënë Tereza.

Comments