Parlamenti Evropian godet Serbinë me rezolutën më të rreptë ndonjëherë

451
fresco

Parlamenti Evropian ka miratuar një rezolutë për Serbinë, në të cilën theksohet polarizimi dhe shtimi i represionit në vend, një vit pas rrëzimit të mbulesës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit. Për rezolutën votuan 457 eurodeputetë, ndërsa 103 ishin kundër.Në rezolutë përmendet, ndër të tjera, se qeveria serbe ka negociuar me pronarët e kompanisë “United Media”, në kuadër të së cilës vepron edhe televizioni N1, me qëllim për ta “dobësuar” këtë medium.

Parlamenti Evropian paralajmëron se, nëse kjo konfirmohet, do të përbënte një sulm serioz ndaj pluralizmit tashmë të rrezikuar mediatik në Serbi. Serbia ftohet të përputhë politikat e saj me ato të BE-së në luftën kundër ndërhyrjeve të huaja dhe fushatave të dezinformimit.Teksti thekson se as një vit pas tragjedisë në Novi Sad, hetimet nuk janë përmbyllur, dhe kërkohet zbatim i plotë e transparent i procedurave ligjore, në mënyrë që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, në përputhje me parimin e sundimit të ligjit.Në dokument theksohet gjithashtu se ndikimi i Kinës në Serbi është rritur ndjeshëm vitet e fundit përmes investimeve të mëdha infrastrukturore, çka ngre shqetësime mbi mungesën e transparencës, mospërputhjen me standardet e BE-së dhe respektimin e normave mjedisore.

“Duke marrë parasysh se projekti i stacionit ishte pjesë e hekurudhës së shpejtë Beograd–Budapest dhe u realizua përmes një marrëveshjeje ndërqeveritare Serbi–Kinë, jashtë kuadrit të ligjit për prokurimin publik, nga dy kompani kineze… dhe duke marrë parasysh se Zyra Evropiane e Prokurorisë Publike (EPPO) në mars 2025 ka hapur hetim për mundësi abuzimi me fondet e BE-së të destinuara për rikonstruksionin e stacionit hekurudhor të Novi Sadit,” thuhet në rezolutë.Kujtohet se rrëzimi i mbulesës shkaktoi protesta të paprecedenta në të gjithë vendin, të udhëhequra nga studentët, të cilët kërkonin drejtësi, përgjegjësi institucionale, transparencë, zgjedhje të parakohshme e të ndershme, respektim të lirive qytetare, ndarje të pushteteve, liri të mediave, fund të korrupsionit sistematik dhe investime në arsim.Mbështetje për të drejtën e studentëve dhe qytetarëve për protesta paqësoreNë rezolutë përmendet se nga shkurti deri në fund të shtatorit 2025 janë mbajtur më shumë se 10 mijë protesta në mbi 630 qytete dhe 1,200 komunitete lokale, përfshirë protestën më të madhe në historinë e Serbisë më 15 mars, dhe të dytën për nga madhësia më 28 qershor, duke u bërë kështu lëvizja qytetare më e madhe e dekadave të fundit.

Parlamenti Evropian mbështet të drejtën e studentëve dhe qytetarëve serbë për protesta paqësore, që kërkojnë përgjegjësi dhe reforma demokratike, të ndërlidhura drejtpërdrejt me sundimin e ligjit që BE-ja pret nga Serbia.Megjithëse protestat ishin kryesisht paqësore, përmenden disa incidente të dhunshme gjatë verës, përfshirë përdorimin e simboleve radikale dhe retorikë nacionaliste, proruse dhe shoviniste, gjë që ngjalli kritika të forta brenda dhe jashtë vendit.Dhuna ndaj kundërshtarëve politikë dhe përdorimi i forcës së tepruarRezoluta thekson se autoritetet serbe kanë përdorur dhunë ndaj kundërshtarëve politikë dhe protestuesve, ndërsa represioni është përshkallëzuar që nga fillimi i vitit. Më 15 mars, sipas burimeve të pavarura, protestuesit u sulmuan me armë zanore, gjë që ngre shqetësime serioze për ligjshmërinë dhe proporcionalitetin e përdorimit të forcës.

Sipas tekstit, që nga gushti, dhuna është rritur, agjencitë e sigurisë kanë përgjuar ilegalisht biseda private që më pas janë përdorur për të akuzuar studentët dhe aktivistët për “vepra kundër rendit kushtetues”, ndërsa njësia elitare ushtarake “Kobrat” është dislokuar dhe në një rast ka përdorur municion luftarak.Parlamenti Evropian dënon ashpër valën e dhunës, frikësimin dhe arrestimet arbitrare kundër protestuesve paqësorë, gazetarëve, organizatave të shoqërisë civile dhe opozitës, si dhe fushatat e njollosjes, frikësimin mediatik dhe keqpërdorimin e të dhënave personale për t’i diskredituar ata.Gjithashtu, u kërkohet zyrtarëve të lartë serbë të ndalojnë retorikën nxitëse dhe përdorimin e mbikëqyrjes së paligjshme ndaj demonstruesve.“Parlamenti Evropian mban udhëheqjen serbe politikisht përgjegjëse për përshkallëzimin e represionit, normalizimin e dhunës dhe dobësimin e institucioneve demokratike… dhe shpreh keqardhje që zyrtarët më të lartë shtetërorë kanë përhapur teori konspirative se rrëzimi i mbulesës ishte ‘sabotazh’ ose ‘sulm terrorist’, pa ndonjë provë,” thuhet në rezolutë.

Kujtohet se Komisionerja e Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut dhe Zyra e Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në korrik dhe gusht kërkuan nga autoritetet serbe të tregojnë përmbajtje, të ndalojnë shtypjen e lëvizjes studentore dhe të respektojnë të drejtat e njeriut dhe liritë akademike.Në dokument theksohet se presidenti Aleksandar Vuçiç ka përdorur gjuhë çnjerëzuese edhe ndaj politikanëve të BE-së, përfshirë anëtarë të Parlamentit Evropian që shprehën mbështetje për protestuesit.Pengesa në drejtësi për hetimin e rrëzimit të mbulesësParlamenti Evropian shpreh keqardhje të thellë për pengesat në drejtësi dhe dënon fushatat e njollosjes në mediat proqeveritare kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve që zbatojnë sundimin e ligjit.Po ashtu, dënon hakmarrjen e qeverisë ndaj punonjësve të arsimit dhe kulturës për shkak të mbështetjes së protestave — përfshirë shkarkime, ulje pagash, ndërprerje financimesh universitare dhe praninë e policisë në objekte universitare.

Kërkohet që qeveria serbe të rikthejë menjëherë financimin e universiteteve dhe të garantojë pjesëmarrjen e lirë të komunitetit akademik e kërkimor në projektet e financuara nga BE-ja.Kërkesa për zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE-së dhe ODIHR-itRezoluta kërkon që Serbia të zbatojë urgjentisht të gjitha rekomandimet e OSBE-së dhe ODIHR-it për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme, përfshirë rishikimin e pavarur të listës zgjedhore, emërimin transparent të anëtarëve të Këshillit të REM-it dhe qasje të barabartë në kohën televizive për të gjithë aktorët politikë në RTS.

Parlamenti kërkon gjithashtu inspektim teknik, sigurie dhe transparence të plotë të të gjitha objekteve infrastrukturore, veçanërisht përgjatë linjës hekurudhore Beograd–Budapest, për të siguruar stabilitet strukturor, siguri dhe përputhje me standardet ndërkombëtare.Duke riafirmuar angazhimin e BE-së për perspektivën evropiane të Serbisë, Parlamenti thekson se negociatat e anëtarësimit mund të përparojnë vetëm në bazë të përparimit të matshëm dhe të qëndrueshëm në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, pavarësinë e gjyqësorit, lirinë e mediave dhe përputhjen me politikën e jashtme të BE-së, përfshirë sanksionet ndaj Rusisë.Rezoluta mbështet dërgimin urgjent të një misioni ad hoc të BE-së për verifikimin e fakteve në Serbi, me pjesëmarrjen e Parlamentit Evropian, për të vlerësuar gjendjen e demokracisë, protestat aktuale dhe represionin ndaj studentëve, akademikëve dhe punonjësve publikë.

Në fund, Parlamenti u bën thirrje zyrtarëve evropianë të mos japin deklarata të pabazuara që lëvdojnë proceset reformuese në Serbi dhe përshëndet tonin më realist të presidente së Komisionit Evropian gjatë vizitës së saj të fundit në Beograd.Parlamenti gjithashtu i bën thirrje vendeve pjesëmarrëse në EXPO 2027 të marrin parasysh shqetësimet serioze dhe dëshmitë për korrupsion të gjerë të lidhur me strukturat në pushtet, si dhe shkeljet e standardeve ndërtimore dhe ligjore në organizimin e ekspozitës./ek

Comments