
FLETORJA ME VULË TURPI PËR SHQIPTARËT NË MAQEDONI
(Me rastin e 8 Shtatorit, Dita e Pavarësisë së Maqedonisë)
Na ishte njëherë një fletore, regjistër me numra telefonash, në zyrat (selinë) e Partisë për Prosperitet Demokratik të shqiptarëve në Maqedoni. Aty ndahej më dysh fryma demokratike, mes forcave përparimtare të shqiptarëve dhe mercenarëve, agjentëve të Beogradit.
Shumicës së anëtarëve dhe simpatizuesve të kësaj partie, e cila i hapi rrugë sistemit shumëpartiak në Maqedoni, të cilët kanë pasur qasje në këto zyra, sigurisht u kujtohet ajo fletore me kopertina të forta, ngjyrë të kaltër, në të cilën për çudi faqja e parë ka qenë e mbushur me numra telefonash zyrtarë të Qeverisë së Beogradit, numra zyrtarë dhe privat, të kabinetit dhe personal të kriminelit Slobodan Millosheviq, por edhe të zyrtarëve të tjerë të lartë të Serbisë dhe ish Federtatës Jugosllave. Të mos flasim për numrat e telefonave dhe fax-ave të Gligorovit, Cërvenkovskit, Fërçkovskit, të radhitur në faqet e radhës, para atyre të liderëve dhe personaliteteve shqiptare në Tiranë dhe Prishtinë.
Përderisa lideri historik i kësaj partie, Nevzat Halili, sillej andej-këtej, nga Tetova në Shkup, Prishtinë dhe Tiranë dhe anasjelltas, për t’i koordinuar aktivitetet dhe veprimet politike me partitë tjera demokratike simotra dhe me liderët e tyre, sidomos me presidentin Ibrahim Rugova, si udhëheqës i Këshillit koordinues të partive politike të shqiptarëve në ish Jugosllavi, ndërkohë, disa mercenarë, zyrtarë të tjerë të kësaj partie, hapnin kufjet e telefonave nga Tetova dhe përcillnin pandalur njoftime dhe raporte (sidomos përmes faksit) në drejtim të Beogradit.
Edhe pse shumica e anëtarëve dhe simpatizuesve të kësaj partie kanë prirje ta quajnë këtë parti si Lëvizje popullore gjithëpërfshirëse e shqiptarëve në Maqedoni, në fillimet e pluralizmit, kjo periudhë ende nuk është ndriçuar sa dhe si duhet, prandaj historianët duhet ta bëjnë punën e tyre, në bazë të dëshmive, burimeve historike relevante, se kush e përçonte frymën kombëtare përmes kësaj partie, lëvizje politike, dhe kush ia mbante edhe më tej ison pushtetit kriminel dhe akupator serb mbi shqiptarët.
Unë e kam parë me sytë e mi dhe e kam shfletuar shkarazi këtë fletore (regjistër), në rastin e vetëm që kam hyrë në zyrat e kësaj partie, në një takim të organizuar në selinë e saj në Tetovë (1991), me kryetarin e Komitetit të Helsinkit, Eric Seizby, në të cilin ka qenë i pranishëm edhe kryetari i kësaj partie, Nevzat Halili dhe profesori Ismail Mehmeti (në cilësi të përkthyesit).
Kjo ishte fletorja ,,historike” që e vulosi në një formë fatin e shqiptarëve në Maqedoni, nga viti 1990 deri më sot. Le ta mbajnë me shëndet tradhtarët me vulë turpi!

