Partitë me problem të ri, pabarazi në zonat zgjedhore mund të shtyjë zgjedhjet (VIDEO)

122

Moebel THEMA

zgjedhjet

Balancimi i njësive zgjedhore mund të jetë pengesa e radhës për anulimin e zgjedhjeve në fund të vitit.  Për shkak të mungesës së përfaqësuesit të VMRO DPMNE-së, grupi i punës që duhej të gjejë metodën për balancimin e numrit të votuesve në zonat zgjedhore, nuk mbajti takimin e paraparë për sot.
Koordinatori i grupit parlamentar të VMRO DPMNE-së, Ilija Dimovski dy ditë më parë tha se nuk duhet që ky problem të zmadhohet nga partitë, sepse bëhet fjalë vetëm për një pabarazi të vogël në njësinë e gjashtë zgjedhore.

“Nuk bëhet fjalë se cila njësi zgjedhore është e rregullt, e cila jo. Vetëm njësia e gjashtë zgjedhore është jashtë kufirit, i cili është i caktuar në Kodin Zgjedhor, edhe atë, siç ju thash bëhet fjalë për 1000 – 2000 votues. Shpresoj se kjo situatë simbolike do të zgjidhet në mënyrë të arsyeshme në kuvend”, u shpreh Ilija Dimovski, nga VMRO-DPMNE.

Por nuk doli të jetë kështu. Në raportin që Komisioni Shtetëror Zgjedhore dorëzoi deri tek kuvendi, shihet qartë se problematike janë edhe zonat 3 dhe 4. Drejtuesi i këtij  grupi punues, Rafis Aliti, informoi se në tavolinë është vetëm propozimi i BDI-së, me të cilin do të balancoheshin edhe zona zgjedhore 3 dhe 4. Por ky propozim nuk është i pranueshëm për VMRO DPMNE-në, sipas të cilës duhet intervenuar vetëm në njësinë e gjashtë. Por, deputeti Aliti e thotë qartë, se nëse shkohet pa balancuar edhe zonën 3 dhe 4, secili subjekt politik do të ketë të drejtë që ti kontestojë zgjedhjet.

“Problemi është në tre njësi zgjedhore, ligjërisht që kalojnë pragun e 5%. Nuk janë pyetje 2000 votues. Në mes njësisë zgjedhore numër 6 dhe njësisë zgjedhore numër 3 dallimi mbi 30 000 vota. Është obligim i joni ligjor, që të bëjmë balancimin e njësive zgjedhore”, shtoi Aliti.

Sipas raportit zyrtar të Komisionit Shtetëror Zgjedhor, në njësinë gjashtë zgjedhore është shtuar numri i votuesve për 6.5%,  kurse në njësinë e tretë dhe të katërt zgjedhore, numri i votuesve ka rënë për 5.7 gjegjësisht për 5.1 %.

Problem shtesë janë edhe ata 30 000 votues të fshirë nga lista zgjedhore, të cilët në rast se paraqiten në afatin 15 ditor të rishikimit publik të listës zgjedhore, do të kenë të drejtën të votojnë edhe në këto zgjedhje.  Për shkak të anulimit të takimit, PDSH nuk pati mundësinë që të prezantoj propozimet e tyre për balancimin e votuesve, kurse LSDM ende mbetet e përmbajtur lidhur me këtë çështje. Ata janë të gatshëm të pranojnë marrëveshje eventuale mes VMRO DPMNE-së dhe partive shqiptare.  Nëse deri në fund të javës nuk arrihet marrëveshje, Aliti do të informoj kryetarin e kuvendit se institucioni ligjdhënës nuk ka kapacitet që të arrijë marrëveshje për këtë çështje, që mund të rezultojë me takim të ri liderësh./tv21

Comments