Partitë reagojnë ashpër ndaj qëndrimit të Gruevskit për shqiptarët

204
Partitë reagojnë ashpër ndaj qëndrimit të Gruevskit për shqiptarët

LSDM-ja ka reaguar ashpër ndaj liderit të VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski për intervistën e tij të fundit në të cilën tha se në periudhën e LSDM-së shqiptarët kanë qenë të shtypur. Nga partia e Zaevit thonë se është VMRO DPMNE-ja ajo e cila ka bërë ndarjen ndëretnike në Maqedoni. Kjo sipas LSDM-së ishte njëra ndër arsyet që qytetarët në zgjedhjet e 11 dhjetorit qytetarët votuan për ndryshim. Në BDI shkurt thanë se kohërat kanë ndryshuar dhe se shqiptarët në Maqedoni i dalin zot vet kauzës së tyre, njofton Alsat-M.

Ndërkohë, nga Lëvizja Besa thanë se krime kundër shqiptarëve ka pasur edhe në kohën e LSDM-së dhe atë të VMRO DPMNE-së

“Është e vërtetë se edhe në të kaluarën LSDM-ja ka qenë shumë antishqiptare dhe ne nuk e kemi harruar këtë. Ne edhe më tej mbetemi në qëndrimin tonë se deklarata të tilla nga ana e Gruevskit dhe VMRO-së nuk na bëjnë aspak përshtypje dhe nuk na bëjnë ta ndërrojmë qëndrimin tonë ndaj lidershipit antishqiptar të VMRO-së dhe Nikolla Gruevskit”, u shpreh Orhan Murtezani, zëdhënës i Lëvizjes Besa.

“Aksionet policore, tërheqja zvarrë e shqiptarëve, fjalori i tyre barbar ndaj shqiptarëve, proceset e montuara politike, Monstra, gërmadhat e Lagjes së Trimave në Kumanovë, ngulfatja e perspektivës Euro Atlantike, janë shembulli më i keq i këtij ish kryeministri që duke dashur të bëhet ikonë e maqedonasve u shëndrua në lugat politik ndaj shqiptarëve”, njoftojnë nga Aleanca për Shqiptarët, informon Alsat-M.

Ish kryeministri dhe lideri i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski në intervistë për portalin “republika.mk” tha se VMRO DPMNE nuk është parti shoviniste, ndërsa për vete thotë se nuk është nacionalist dhe nuk punon kundër shqiptarëve. Ai akuzoi LSDM-në se ka burgosur dhe diskriminuar shqiptarët ndërsa tha se ai po bën të kundërtën.

Comments