Një postim në Facebook i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se Akropoli i Athinës mbijetoi fal shqiptarëve dhe se Athina dikur ka qenë qytet shqipfolës, ka nxitur reagime të shumta në Athinë.

“Kjo gravurë e vjetër e Athinës e 1670 (qytet në të cilin, shkruante ende më 1925 princi grek fanariot Eugene Rizo-Rangabe, ‘…popullsia autoktone është edhe sot e kësaj dite kryesisht shqiptare’), na kujton, ndër të tjera se, nëse Akropoli i lashtë është ende në këmbë për lavdi të njerëzimit dhe qytetërimit, kjo i detyrohet edhe kurajos dhe vizionit të primatit shqiptar të Athinës, Gjergj Dushmanit! I cili, më 1686, negocioi me flotën veneciane të Francesco Morosinit që qyteti të mos bombardohej prej limanit të Falerës, edhe pse aty ndodhej një garnizon turk.

Një histori e tillë e një qyteti që dikur ishte sipas historianëve e dëshmive autentike, qytet kryesisht shqipfolës, nuk e bën absolutisht atë një qytet shqiptar, edhe pse shqiptarëve Athina diçka u ka borxh në historinë e saj të jashtëzakonshme. Dhe, tamam po kështu, nëse Himara përjetoi me arqipelagët grekë dhe greqishten si “lingua franca” të Orientit, nëpërmjet shkëmbimeve detare, një bashkëjetesë të afërt e të frytshme, kjo nuk e bën atë absolutisht një krahinë greke; aq më shumë që popullsia e saj, në të gjithë aktet ndërkombëtare, për të mos folur veç për Historinë, njihet thjesht e vetëm si SHQIPTARE”, ka shkruar Rama para ca ditësh në profilin e tij në Facebook.

Kush ishte Gjergj Dushmani dhe kush është injorant i historisë?Kush ishte Gjergj Dushmani dhe kush është injorant i historisë?

Kjo deklaratë ka shtyrë partitë e opozitës greke të kërkojnë mbledhje urgjencë të Këshillit të Lartë të Politikës së Jashtme, por edhe unifikimin e politikës greke në mbrojtje të minoritetit grek të Himarës. Disa deputetë, me në krye ish-ministren e Jashtme Dora Bakojanis, kanë kërkuar marrjen e masave “për të penguar ekspansionin e qeverisë Rama në marrëdhëniet dypalëshe”.

Ndërkaq, në një shkrim për CNN-in grek, ambasadori i nderit, Aleksandros Mallias, shkruan se Shqipëria e ka prerë në besë Greqinë, pasi kjo e fundit e mbështeti për statusin kandidat për në BE në vitin 2014.

“Tirana mendon se Greqia është më e dobët pas krizës ekonomike dhe tani kërkon të përcaktojë rregullat e lojës”, ka shkruar Mallias.

Dje, në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti i pakicës greke i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, duke folur për rastin e prishjes së disa ndërtesave në Himarë në kuadër të planit rregullues të qendrës së qytetit – i cili ditët e fundit rriti ndjeshëm tensionet mes Tiranës dhe Athinës, pasi Greqia pretendon se po goditen qëllimisht pjesëtarë të minoritetit grek – mbrojti ndërhyrjen e Athinës mbi këtë çështje duke kujtuar se edhe kushtetuta e Shqipërisë parashikon si detyrim mbrojtjen e interesave të qytetarëve të saj kudo që janë, transmeton Telegrafi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Ramës, i cili tha se nuk ka vend për t’i konsideruar himarjotët si minoritarë grekë: “Këtë herë na ka dalë që banorët e prekur nga projekti i ri i Bashkisë së Himarës, në fakt na qenkan deklaruar grekë dhe mund të paraqesin në mbështetje të kësaj deklarate dokumente përkatëse. Asnjë himarjot, as mund të paragjykohet, as mund të gjykohet, dhe aq më pak të klasifikohet si banor homogjen, nënkupto grek, pse zemra ia thotë se përveç atdheut të babës, ka dhe një vend tjetër, për një atdhe tjetër”.

Ndërkaq, duke folur për reagimet në Greqi për deklaratën e tij përkitazi me Athinën shqipfolëse dhe Akropolin, ai shtoi: “A ma thotë dot kush që ka dy fije mend në kokë, pse fqinjëve tanë të dashur nuk u erdhi mirë që në një postim shumë miqësor në rubrikën time kulturore, unë përmenda Gjergj Dushmanin, shqiptarin e famshëm dhe të cituar në plot libra historianësh seriozë, të cilin një nga ato rastësitë fatlume të historisë e bëri të gjendet në vendin e duhur dhe në kohën e duhur për ta shpëtuar Akropolin nga bombardimi i flotës veneciane në vitin 1686. Apo mos vallë nuk u erdhi mirë që lexuan aty se në Athinën e asaj kohe flitej kryesisht shqip, çka në fakt nuk e them unë, por nuk ka një historian serioz që nuk e shkruan. Ndërkohë që sa për mua, ky është vetëm një mësim i bukur historie për të gjithë ne, shqiptarët dhe greket e sotëm, që duhet të ndihemi më mirë dhe kurrsesi më keq nën çdo dritë afruese të historisë së gjatë, të fqinjësisë sonë dhe të shembujve të panumërt të shqiptarëve dhe grekëve që kanë ndihmuar vëllazërisht njëri-tjetrin. Nuk di ta them unë pse duhet të mërziten fqinjët tanë, kur iu thuhet se në Athinën e një periudhe të caktuar flitej kryesisht shqip, por di të them se unë nuk mërzitem fare, kur më thonë se në Himarë flitet sot edhe greqisht. Kur them se as e folura shqip në Athinën e djeshme nuk e bën Athinën sot një qytet shqiptar, as e folura greqisht në Himarë sot, nuk ka për ta bërë dot kurrë Himarën një qytet grek nesër”.

Enver Hoxha: Këta grekët janë të paturpshëmEnver Hoxha: Këta grekët janë të paturpshëm

Raportet shqiptaro-greke, nuk janë të mira që nga shpallja e pavarësisë së Greqisë më 1821, e në veçanti gjatë Luftërave Ballkanike kur Greqia zgjeron territorin e saj në dëm të shqiptarëve. Më 1913 ndodh masakra e çamëve, më 1914 masakra në Përmet, më 1923 shpërngulja e çamëve në Turqi, internimi i burrave çamë më 1940… Mbi të gjitha, Greqia shpall Ligjin e Luftës më 10 nëntor 1940 që është ende në fuqi e që mban peng çështjen e pronave çame, transmeton Telegrafi.

Ish-lideri komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha, ishte i vetmi që mbajti fjalim me tone të ashpra kundër politikës greke.

“E kemi për detyrë t’ju paralajmërojmë: uleni bishtin se në rast se do të jeni në aventura, do t’ju ndëshkojmë rëndë. Nëse ju do të godisni kufijtë tona, ne do ju kthejmë në kërma”, ka thënë Hoxha.

Ndërkaq, që nga vitet ’90 të shekullit të kaluar, të sistemit pluralist në Shqipëri, politika shqiptare ishte shumë e kujdesshme në deklarata dhe veprime në raport me Greqinë, madje edhe kur forcat greke futeshin në territorin shqiptar (siç është Masakra e Peshkëpisë më 10 prill 1994). Ndaj, deklaratat e kryeministrit Edi Rama, nga një pjesë e opinionit vlerësohet si ndër më të guximshmet e të dinjitetshmet në vitet e fundit.

Fjalimin e tij, mbi 40 minuta të gjatë, mund ta gjeni më poshtë. /Telegrafi/

Akropoli