
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme në brifing për gazetarë sot janë prezantuar fatura dhe llogari nga dreka të ish-udhëheqësve të MPB-së, DSK-së dhe BSP-së.
Sipas shpenzimeve të dhëna në mënyrë ekipore në periudhën nga viti 2011 deri në vitin 2016, administrata e MPB-së ka shpenzuar gjithsej 15.759.820 denarë, në Byronë për siguri publike 28.883.563 denarë, ndërsa në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim gjithsej 34.668.186 denarë.
Përfaqësuesit e MPB-së në brifing theksuan se llogari mesatare e një dreke ka arritur 500 euro, ndërsa disa janë bërë në data specifike.

Sipas kopjes së bashkëngjitur nga 12 prilli i vitit 2012, kur ka ndodhur vrasja e pesëfishtë te Liqeni i Smilkovës, DSK-ja në një restorant të Shkupit ka bërë llogari prej 29.860 denarësh. Në meny ka pasur specialitete të ndryshme. Në faturë shihet se janë shpenzuar mbi 5.000 denarë vetëm për deserte.
Në brifing u theksua se deri më tani nuk është rregulluar çka mund të theksohet si ekip dhe se nuk kanë të dhëna konkrete kush, si dhe në bazë të çka është shkruar dhe lejuar pagesa e shpenzimit zyrtar, për shkak, siç thanë, numrit më të madh të llogarive dhe faturave, por se të drejta ligjore të nënshkrimit kanë vetëm drejtori, zëvendësdrejtori, shefi i kabinetit dhe personi i autorizuar nga ata.
Përveç shpenzimeve në fatura, udhëheqësia e MPB-së, DSK-së dhe BSP-së disponon edhe me kartela zyrtare, për të cilat siç është theksuar në brifingun e sotëm, nuk kanë të dhëna sa është limiti ditor. Ish-drejtori i DSK-së nga viti 2008 deri në shkarkimin e tij, nga kartela zyrtare ka shpenzuar 1.104.773 denarë, ndërsa zëvendësi i tij 2.387.866 denarë. Ish-ministri i Punëve të Brendshme nga kartela zyrtare ka shpenzuar 1.320.195 denarë. Drejtori i BSP-së në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2013 ka shpenzuar 617.100 denarë nga kartela zyrtare, ndërsa drejtori tjetër i BSP-së që ka qenë nga viti 2013 deri në vitin 2016 ka shpenzuar 1.387.389 denarë nga kartela zyrtare.
Faturat dhe llogaritë, sipas përfaqësuesve të MPB-së, tregojnë se ka indikacione për keqpërdorime të pozitës zyrtare, për çka theksuan se do të kërkohet revizion dhe hetim më i detajuar.