“Pasuria e paligjshme duhet t’i kthehet popullit”
Kryeministri Hristijan Mickoski, fillim të seancës konstituive të Këshillit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskimin e Pasurisë, tha se kriminalieti nuk duhet të shpërblehet, përkundrazi, ai tha se e vjedhura duhet të konfiskohet dhe t’i kthehet popullit.
Ky organ, tha Mickoski, nuk është një formalitet, por një mesazh i qartë dhe i pakundërshtueshëm se shteti qëndron përfundimisht, në mënyrë sistematike dhe pa kompromis, kundër kriminalitetit dhe korrupsionit.
HRISTIJAN MICKOSKI, KRYEMINISTËR
“Kjo Qeveri e nisi luftën kundër kriminalitetit dhe korrupsionit jo me deklarata, por me vepra. Aktualisht po përpunohen më shumë se pesëdhjetë raste për korrupsion të lartë. Raste që për vite të tëra janë mbuluar, shtyrë ose injoruar. Por, kjo nuk është fundi, por fillimi. Ne presim hapjen e rasteve të reja, hetime të thella dhe rezultate që do ta rikthejnë besimin e qytetarëve te shteti dhe institucionet. Dua ta them qartë dhe fort: nuk ka drejtësi selektive, nuk ka të mbrojtur, nuk ka të paprekshëm”.
Mickoski më tej tha se që kjo luftë të jetë e suksesshme, është i nevojshëm forcimi i gjyqësorit dhe Prokurorisë, në mënyrë institucionale, kadrovike dhe funksionale.
Ky Këshill udhëhiqet nga zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, i cili tha se kjo seancë konstituive e Këshillit Kombëtar për Hetime Financiare dhe Konfiskimin e Pasurisë përbën një pikë kthese në trajtimin e luftës kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit.
ARBEN FETAI, ZV/KRYEMINSITËR
“Ky këshill nuk është krijuar vetëm për të shtuar një strukturë tjetër, por për të vendosur një drejtim politik dhe për të përcaktuar bashkëpunimin ndërinstitucional, aty ku zbatimi ishte i fragmentuar. Formimi i këtij Këshilli në shtator 2025 dhe seanca e sotme përbëjnë një përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj një angazhimi të qartë institucional – procesi normativ natyrisht ekziston, por janë të nevojshme rezultate konkrete dhe të fuqishme, diçka që kërkon koordinim të fortë dhe mbikëqyrje të vazhdueshme politike”.
Sipas tij, Strategjia Kombëtare për Forcimin e Kapaciteteve për Zbatimin e Hetimeve Financiare dhe Konfiskimin e Pasurisë 2025–2028 dhe Plani i Veprimit 2025–2026 ofrojnë një kornizë të qartë dhe janë në përputhje me standardet evropiane. Ai e konsideron atë një forum kyç për kalimin nga, siç tha, një kakofoni institucionale drejt veprimit të detyrueshëm ndërmjet institucioneve.

