Patrotizmi i rrejshëm mbush faqet e rrjeteve sociale!
Prej disa ditësh ka filluar tashmë në rrjetet sociale beteja e përplasjes mes vlenistëve dhe integristëve për patriotizëm të rrejshëm mes tyre.
Me këtë rast nuk dua të bëj avokatin e djallit për integristët dhe as prokurorin e akuzës ndaj vlenistëve, por thjesht të paraqes shfaqjen e tyre e komike në rrjetet sociale mbi patriotizmin e rrejshëm dhe jo ngritjen e çështjeve të ndryshme për debat në parlament.
Sa i takon DUI-t dhe integristëve ata kanë qënë objekt i kritikave të mia për me shumë se një dekadë ne shtypin shqiptar, dhe se për këtë qëndrim tashmë të njohur ndaj “shfalerkave” të pushtetit nuk ka asnjë dyshim.
DUI dhe integristët do t’i japin llogari shqiptarëve për bëmat dhe gjëmat që i shkaktuan shqiptarëve edhe pse nuk ka shtet të së drejtës, ata do t’i ndëshkoj vota e shqiptarëve në zgjedhjet lokale të radhës si të paudhë dhe renegatë të çeshtjes shqiptare.
Por, siç njoftoi mbrëmë INA lidhur me këto zhvillime se deputeti dhe anëtari i kryesisë së ASH-së Rijad Shaqiri, i cili përmes një porosie në rrjetet sociale i është përgjigjur zëdhënësit dhe anëtarit të kryesisë së BDI-së, Bujar Osmani i cili theksoi se me shfuqizimin e “balancerit” po vritet Marrëveshja e Ohrit.
Kësisoj, aleancisti i ri nga krahu i Taravarit ka akuzuar integristin për bëmat e së kaluarës se “ti Bujar mos harro se në vazhdimësi burgosët, vratë dhe shantazhuat shumë shqiptarë, falë tyre sot ju jeni shëndrruar në oligarkë të laboratorëve modern, të hidrocentraleve dhe pronarë të qendrave tregtare”!
Mos të lëmë pa e përmendur edhe rastin e Kumanovës në vitin 2015, ku shkatërruat dhe nëpërkëmbët krenarinë kombëtare.
Shaqiri gjithashtu ka akuzuar integristët duke i thënë se “mos luani rolin e viktimës se ju nuk ju intereson as Marrëveshja e Ohrit, e as statusi i shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, por ju e keni hallin e pushtetit dhe të tenderëve”.
Çfarë duhet të kuptojnë shqiptarët nga këto fletërrufe të “betejës” mes vlenistëve dhe integristëve në rrjetet sociale?
Deputetit aleancist duket sikur i dhimbset MO, por nuk merr guximin të thotë se ne do ta mbajmë premtimin për ta hequr atë nen kushtetues që sanksionon identitetin tonë gjuhësor me nofkën e 20%!
Këtë guxim për ndryshimet kushtetuese nuk e merr dot ta thotë publikisht në parlament azgani aleancist Shaqiri, pasi kështu nuk mendon as shefi i tij Beni, e lëre më ta dëgjoj kryekomiti Micko, i cili është shprehur edhe më parë se nuk pranon shantazhe për ndryshimet kushtetuese.
Lidhur me rastin e “Lagjes së trimave” të vitit 2015, ku trimi aleancist ia përmendi ish ministrit të jashtëm Osmani atë ngjarje të hidhur si përgjegjësi dhe faj vetëm të integristëve, ku thotë se ju “integristët na shkatërruan dhe nëpërkëmbët krenarinë kombëtare me atë ndërhyrje”, duke e anashkaluar faktin se në atë ndërhyrje morën pjesë policia e qeverisë së koalicionit me integristët dhe komitët e VMRO-së, që sot ju jeni në koalicion me po ata komitë të djeshëm që përdhosën krenarinë kombëtare me ndërhyrjen e tyre në 2015 dhe nuk guxoni t’i kërkoni llogari komitëve por vetëm DUI-t!
Këtë gjëmë ndaj shqiptarëve trimi i tribunës së ASH-së nuk e përmend dot para despotit Micko në parlament, por vetëm në fletërrufetë e tij patriotike që shpërndanë nëpër rrjetet sociale për opinionin shqiptar.
Patriotizmi i rrejshëm vlenist me mbulesën “Ndryshimi po vjen” do të ngec më 11 dhjetor, pikërisht në ditën kur Gjykata Kushtetuese pritet ta shfuqizojë ligjin për gjuhët e pakicave.
Ahere do ta shohim sesi do ta hidhni vallen e patriotizmit dhe të Ndryshimit ju vlenistët entuziastë në mbrojtje të gjuhës së pakicave apo do të bëni amin para despotit Micko, si pula të lagura pas stuhisë dhe rrebeshit të komitëve ndaj edhe atyre pak të drejtave të pakicave që kanë shqiptarët në kushtetutë.
Bashkë me shfuqizimin e këtij ligji shqiptarët kthehen në kohën e “artë” të Gligorovit që poashtu kishte për kryetar të Kuvendit një shqiptar të ndershëm si vullnet Starova, i cili respektonte kushtetutën e “drzhavës”, kur ajo ishte shtet i kombit maqedonas dhe i kombësisë shqiptare dhe turke si dhe i të gjitha pakicave tjera në këtë Republikë Socialiste të Maqedonisë.
Si do të reagojë opinioni shqiptar dhe subjektet tona politike pas fushatës antishqiptare të premierit Micko dhe komitëve të tij kundër identitetit dhe gjuhës shqipe mbetet për t’u parë?!
Medai Shaholli