PD refuzon pjesëmarrjen në marshimin për UÇK-në, Berisha akuzon Ramën për politizim

60
fresco

Partia Demokratike e Shqipërisë ka vendosur të mos jetë pjesë e protestës në mbështetje të luftëtarëve të UÇK-së, por Sali Berisha, nga selia e PD-së, shprehu mbështetjen për lëvizjen e veteranëve të UÇK-së.Gjatë një konference me gazetarët, Berisha theksoi se liderët e UÇK-së, të cilët po gjykohen në Hagë, janë të pafajshëm.

“Në të gjithë dijeninë time, ndjekjen time, nuk kam parë në mënyrë absolute asnjë fakt që të provojë asnjë akuzë për të cilën janë arrestuar dhe mbahen në arrest ish-udhëheqësit e luftës dhe udhëheqësit politikë më vonë të Kosovës. Asnjë! Dhe unë uroj me zemër që ajo gjykatë të shpallë pafajësinë e tyre dhe kthimin e tyre në vendin e tyre”, tha Berisha.Por Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor kauzën e UÇK-së dhe protestën për qëllime politike.

“Përdorimi për qëllime politike i procesit është një makabritet. Edi Rama u tërhoq, por unë kam këtu dëshmitë që ai ishte parashikuar të fliste mbi 1 orë. E kuptoni ju? Do bëhej patriot njeriu që me aktet e tij është ndaj Kosovës po aq armik sa Aleksandër Vuçiçi”, deklaroi ai.Kryetari i Partisë Demokratike, Berisha, deklaroi se vota e socialistëve kundër rezolutës që dënonte gjenocidin serb në Kosovë është një nga aktet më të rënda të Parlamentit shqiptar.
“Një akt i tillë do të shkruhet me germa të zeza në muret e Parlamentit si akti më armiqësor i Parlamentit ndaj kombit shqiptar”, shtoi Berisha.Në komunikimin me gazetarët, Berisha akuzoi presidentin e Republikës dhe Gjykatën Kushtetuese, të cilët, sipas tij, i ndërprenë në mënyrë të paligjshme mandatin anëtares së kësaj gjykate, Sonila Bejtja.

Comments