PDK: Gati padia për Shpend Ahmetin
Partia Demokratike e Kosovës ditë më parë ka ngritur shqetësimin për veprimet inkriminuese të Komunës së Prishtinës, përkatësisht kryetarit të komunës Shpend Ahmeti për punësimet e paligjshme të mbi 250 militantëve partiak.
Ky subjekt thotë se këto punësime paraqesin favorizime të përkatësisë partiake dhe janë shkelje e rëndë ligjore.
“Komuna e Prishtinës në vend të punësimeve sipas ligjit dhe meritokracisë, është shndërruar në vatër të nepotizmit politik dhe familjar.
PDK ka mbledhur dokumentacionin e plotë zyrtar për këto keqpërdorime flagrante, prandaj bëjmë me dije opinionin publik se në fillim të javës së ardhshme, Grupi i kuvendarëve komunalë të PDK-së në Prishtinë do të ngre kallëzim penal në Prokurrinë Speciale ndaj Shpend Ahmetit dhe krerëve të tjerë bashkëpjesëmarrës në ndërmarrjen e tyre inkriminuese”, thuhet në njoftimin e tyre.
Padia sipas PDK-së, do të ngrihet mbi bazë të fakteve të pakontesturshme:
- Shpend Ahmeti dhe të tjerët, me punësimin joligjor të mbi 250 militantëve kanë kryer vepër penale, keqpërdorim të detyrës zyrtare.
- Shpend Ahmeti ka kryer vepër penale të ushtrimit të ndikimit joligjor.
- Shpend Ahmeti në këtë mënyrë ka privuar të tjerët nga mundësia e barabartë.
- Shpend Ahmeti dhe të të tjerët kanë kryer vepër penale të marrjes së mitos për këto punësime.
Siç vlerëson PDK, ka ardhur koha që kryetari i kryeqytetit të përballet me shkeljet e shumta ligjore dhe mos të vazhdojë punën edhe më tutje si kryetar i arsyetimeve dhe i rrjeteve sociale. Prishtina, thonë ata, ka nevojë për një kryetar që punon e jo për një kryetar që tërë mandatin qëndron duke u ankuar dhe duke e mbajtur peng zhvillimin e Prishtinës./Lajmi.net