PDK-ja: Komuna e Prishtinës Punëson Militantë të VV-së

187
Komuna e Prishtinës | Foto: KALLXO.com

 

PDK-ja në Prishtinë akuzoi sot drejtuesit e kryeqytetit se po punësojnë militantë të VV-së, ndërsa Shpend Ahmeti këtë e cilësoi tentim për t’i zhbërë telefonat e publikuara të Grabovcit.

Zyrtarë të PDK-së në kryeqytet në një konferencë për gazetarë thanë se me qindra militantë të “Vetëvendosjes” janë punësuar në komunën e drejtuar nga Shpend Ahmeti.

“Sot jemi këtu për të shpalosur praktikat korruptive dhe klienteliste të VV,  që menaxhmenti i Komunës së Prishtinës përdor për rekrutimin e militantëve partiakë dhe ky kontingjent i të punësuarve në mënyrë të jashtëligjshme, në të njëjtën kohë shfrytëzohet për operacionet anarkiste të VV, për dëmtimin dhe shkatërrimin e pronës publike në komunën tonë,” u tha në këtë konferencë sipas komunikatës së publikuar nga PDK-ja.

Kjo parti duke iu referuar raportit të Auditorit Gjeneral të vitit 2015 për Komunën e Prishtinës përmendi se “janë të punësuar mbi 276 militantë të VV-së me kontrata të jashtëligjshme dhe për këto kontrata komuna ka shpenzuar 463.849 euro”.

Raporti i auditorit për vitin e kaluar 276 punëtorët i konsideron të punësuar me kontratë për shërbime të veçanta, ndërsa kërkon nga Komuna e Prishtinës rishikimin e kontratave të tyre.

Sipas auditorit, këta punëtorë janë punësuar në kundërshtim me nenin 31 dhe 35 të Rregullores për shpenzimin e parasë publike 01/2013, pasi qënuk ka dëshmi se komuna ka plotësuar formularin i cili specifikon seështë zhvilluar testi i marrëdhënies së punës dhe dëshmi mbi përzgjedhjen e tyre sipas procedurave të zakonshme të prokurimit”.

PDK-ja në konferencë kërkoi nga “Prokuroria e Shtetit që të fillojë hetimet lidhur me punësimet e kundërligjshme të komunës së Prishtinës”, ndërsa akuzoi Shpend Ahmetin se nëkabinetin e tij më së paku ka prishtinas.

“Nëse Qeveria e Kosovës mund të akuzohet se nuk ka përfaqësim regjional sa duhet, kjo nuk mund të thuhet për qeverisjen komunale të  Prishtinës. Aty mund të gjenden njerëz nga të gjitha qytetet e Kosovës, e më së paku nga Prishtina,” u tha më tutje në konferencën e sotme të PDK-së.

KALLXO.com kontaktoi zëdhënësit e Komunës së Prishtinës Miranda Mullafazliu-Bejta dhe Erzen Vraniqi për t’i pyetur në lidhje me akuzat për punësime partiake, por kontakti me ta ishte i pamundur.

Ndaj atyre që për qeverisjen e tij tha PDK-ja në konferencë, reagoi në një postim në Facebook kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti.

Akuzat e PDK-së për punësime në komunë të aktivistëve të VV-së Ahmeti i quajti sulme që sipas tij lidhen me publikimet e përgjimeve telefonike të zyrtarëve të PDK-së nga insajderi dhe fjalët që Ahmeti tha pas këtij publikimi.

“Prej asaj dite kanë filluar sulmet e përditshme ndaj komunes. Prokuroria ka dërguar hetues në komunë në baza të përditshme. U sajuan storiet për heqjen e fotove të Skenderbeut. E sot u orkestrua një sulm për punësime,” shkroi Ahmeti.

Ai sqaroi edhe listën e të punësuarve që PDK-ja i quan militantë partiakë të “Vetëvendosjes”. Tha se në listë ka emra këngëtarësh që komuna i angazhoi nëpër manifestime, arkitektë të punësuar për procesin e legalizimit të objekteve pa leje dhe punëtorë të kuzhinës, teksa paralajmëroi ngritje të padisë ndaj kësaj që u tha për punësimet.

Në raportin e auditorit për vitin e kaluar thuhet se nga 276 të punësuarit me kontratë për shërbime të veçanta “31 janë angazhuar në një projekt në mes komunës dhe Helvetas dhe 53 punojnë në kuzhina dhe shërbim të ushqimit për institucionet parashkollore, kurse pjesa tjetër prej 192 është e angazhuar në programet e përhershme të punës si ofiqarë, inspektorë, zyrtarë të lartë, regjistrues, anketues etj. pa ndonjë procedurë të rekrutimit apo prokurimit”.

Comments