Kuvendi Qendror i PDSH-së mori vendim për pjesëmarrëse në Qeveri. PDSH-ja e Menduh Thaçit në Qeverinë e Zoran Zaev do të udhëheq me postin e ministrit për investime të huaja dhe zëvendësministrin për transport dhe lidhje.
Zëvendëskryeministër për investime të huaja u zgjodh Bardhyl Dauti, ndërsa për zëvendësministër të Transportit dhe Lidhjeve u zgjodh Musadik Beqiri – tha Luan Tresi, Zëdhënës i PDSH-së.
Lëvizja Besa siç mëson Alsat M nga burime brenda këtij subjekti, si ofertë nga kryeministri Zaev ka pranuar një post ministror, dy zëvendësministra dhe një sekretar shtetëror. Sonte pritet që subjekti i Afrim Gashit, ofertën ta shqyrtojë në Kuvendin Qendror. Marrëveshje është arritur edhe me Lidhjen e Romëve në Maqedoni, përkatësisht me subjektin e deputetit Amdi Bajram. I pari i organit ekzekutiv shpjegoi se ky subjekt nuk do të ketë ministri.
Nuk do të jap emra sepse është e rrugës që emrat t’i konfirmojnë organet që janë kompetent për këtë. Kur do të ketë vendime do të bëhen publike nga vetë subjektet politike të cilat i nominojnë. Vijon periudha e re. Me përbërjen e re Qeveritare do të negociojmë për eshalonët më të ulët si drejtorët dhe zëvendësdrejtorët. Menduh Thaçi nuk do të jetë anëtarë i Qeverisë – deklaroi Zoran Zaev, Kryeministër.
Zaev nuk jep detaje se kush nga ministrat e subjektit tij mund të ndërrohet. Ai gjithashtu potencoi se deri në fund të javës, emrat do të propozohen në Kuvend, që më pas organi ligjvënës t’i votoj. Negociatat po vazhdojnë edhe me BDI-në, ku jo zyrtarisht në lojë janë ndërrimi i dikasterit të Drejtësisë me Arsimin ose Bujqësinë. Pjesë e Qeverisë nuk do të jetë fraksioni i Besës së Bilall Kasamit. Nevoja për zgjerimin e shumicës parlamentare erdhi pas daljes së Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria për çështje parimore pas zgjedhjeve lokale të vitit kaluar.

